F1, Hockenheim, Hamilton befason Rosberg

18/07/2014 00:00

Mercedes nuk ka si të ndalet as këtë javë, aq më tepër që bëhet fjalë për pistën e Hockenheim, në Gjermani, aty ku i vetmi “problem” është befasia që Lewis Hamilton i ka shkaktuar Nico Rosberg, pilotit gjerman të skuderisë gjermane.

Hamilton e ka ndalur kronometrin në 1’18’341, ndërkohë që Rosberg mbetet vetëm 24 të mijtat më larg. Kohën e tretë më të mirë e ka shënuar Daniel Ricciardo, ndërkohë që Kimi Raikkonen e mbyll i katërti, me 5 të dhjetat më shumë. Thuajse 1 sekondë larg britanikut ka qenë piloti spanjoll i Ferrarit, Fernando Alonso, i renditur vetëm në vendin e 9.

Ende jo në momentet më të mira të tij piloti tjetër gjerman, Sebastian Vettel, katër herë kampion bote, por që me Red Bull-in e tij këtë sesion provash të lira nuk ka mundur të shkojë më shumë se sa vendi i 8, me 9 të dhjetat më shumë se britaniku Hamilton.

Kevin Magnussen renditet i pesti, përpara Felipe Massa-s dhe Jenson Button.

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Gjermanisë (Hockenheim) do të mund t’i ndiqni ditën e shtunë, ora 14:00, në Top Channel dhe Top Channel HD, ndërkohë që gara do të zhvillohet të dielën, në po të njëjtën orë.

Top Channel