Ribery: I lumtur për kolegët te Bayern

17/07/2014 00:00

Anësori francez Franck Ribery, i cili mungoi gjatë Botërorit të Brazilit për shkak dëmtimi, është rikthyer në stërvitje me Bayern Munchen gjatë së martës, duke i thurur lavde shokëve të tij të skuadrës, të cilët u kurorëzuan kampionë bote gjatë kësaj vere.

“Ndihem mirë dhe jam i kënaqur që jam sërish këtu”, tha Ribery në një deklaratë në faqen zyrtare të kampionëve të Bundesligës. 31-vjeçari u la jashtë finaleve të Brazilit, pas një problemi me fundshpinën, por është rikthyer sërish në stërvitje duke përshpejtuar rikthimin falë një programi individual.

Ai pritet t’i bashkohet së shpejti edhe seancave të plota stërvitore me klubin bavarez. Ribery u ka thurur gjithashtu lavde skuadrës fituese të Gjermanisë në Botëror, në të cilën bënin pjesë plot 7 lojtarë nga Bayern-i, duke thënë se ai ndihej “shumë i lumtur për kolegët e tij, por edhe për të gjithë ekipin gjerman”.

Kampionët e rinj të Botës u pritën nga më shumë se 250 mijë fansa në Berlin, të martën, në momentin e rikthimit të tyre nga Rio de Janeiro. “Momenti kur kapiteni gjerman Philipp Lahm ngriti trofeun ishte drithërues”, shtoi Ribery.

Top Channel