Allegri: Kam ardhur për të fituar

16/07/2014 00:00

Në konferencën e parë si trajner i Juventusit, Massimo Allegri deklaroi se do të fitojë zemrat e tifozerisë nëpërmjet rezultateve në fushë.

“Ndjehem me fat që kam drejtuar Milanin dhe sot më jepet mundësia të drejtoj Juventusin. Objektivi im është shpallja kampion për të katërtën herë me radhë dhe çerekfinalet e Ligës së Kampioneve”, tha ai.

Më tej, ish-trajneri i Milanit vlerësoi punën e paraardhësit të tij, ndërsa shtoi se me rezultatet në fushë do të fitojë besimin e tifozëve.

“Conte ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjej një skuadër të shkëlqyer që do të jetë skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon të Serisë A. E kuptoj reagimin e tifozëve. Në 24 orë ndryshoi gjithcka, por ata do të kenë mundësi të më njohin dhe unë jam gati për këtë pankinë. Juventusi është një skuadër me traditë dhe histori dhe unë dua të jap kontributin tim duke fituar së bashku me skuadrën”, tha ai.

Që prej largimit nga Milani mediat sportive italiane flasin për një raport të ngrirë mes Pirlo-s dhe Allegrit. Ky i fundit mohoi dicka të tillë duke thënë se me Pirlon ka një raport të shkëlqyer dhe se largimi i tij nga Milani nuk ka qenë dëshira e tij.

“Me Pirlon kam patur një raport të shkëlqyer. Ende nuk kam folur në telefon me të, por ndjehem me fat që pas tre vitesh e gjej këtu një kampion si ai. Nuk i kam vënë asnjëherë në dyshim aftësitë dhe talentin e tij; nëse do ta bëjë dicka të tillë do  të më quanin të çmendur”, thotë ai.

Top Channel