Peshkimi me rrjeta, kur deti tregohet bujar

15/07/2014 00:00

Që në kohët e lashta, lundrimi me anije ka qenë një ëndërr e kahershme e njerëzimit. Nevoja për peshk apo eksplorimi i  kontinenteve të reja, ishin motivet kryesore që i detyronin njerëzit të dilnin në det.

Njësoj si dikur, sot teknika e peshkimit me rrjetë përdoret gjerësisht. Prej 27 vitesh, Ylli Qevani peshkon rregullisht me peshkarexhë në detin Adriatik dhe Jon. Dy herë në javë, 50-vjeçari bën gati ekuipazhin për të dalë në det të hapur.

Peshkarexha “Tonis” sapo la portin e Durrësit. Deti është i qetë dhe era fryn nga verilindja. Një kontroll i fundit me radio për kushtet krimaterike nuk është kurrë i tepërt.

Pajisjet tregojnë thellësinë aktuale dhe pozicionin në radar. Yllit, si i vjetër në det, i mjafton thellësia për të përcaktuar llojet e peshqve që gjenden poshtë rrjetave.

Pasi mjeti arrin thellësinë 90 metra, rrjetat ngrihen gradualisht. Procesi bëhet në sajë të vinçit që tërheq me kavo sipërfaqen e hapur në fund të detit. Shumë lloje peshqish kanë mbetur në rrjetë. Mes tyre edhe peshkaqen të vegjël apo peshq helmues, por deti nuk ka vetëm ditë të mira si kjo e sotmja.

“Ka pasur dy raste kur kam shpëtuar paq. Një herë nga moti i keq dhe një herë tjetër nga një problem me rrjetën”, tregon Ylli.

Merakun më të madh në këtë punë, sigurisht e mbajnë familjarët. Derisa peshkatari të zbresë në tokë, telefoni do të bjerë vazhdimisht.

Dy herë në javë peshkarexha “Tonis” qëndron në det të hapur. Lodhja është e madhe, por edhe shpërblimi i detit gjithashtu. Fatmtirësisht, deti nuk pati të papritura. Deri në daljen tjetër, ekuipazhi mund të pushojë disa ditë.

Top Channel