Messi më i miri, habitet bota

14/07/2014 00:00

Mediat sportive botërore kanë shprehur habinë e tyre për çmimin e lojtarit më të mirë të Botërorit që shkoi për Leo Messin. “Dështoi, por për FIFA-n është më i miri”, shkruan ‘La Gazzetta dello Sport’. Edhe mediat argjentinase kundër këtij vendimi: “E meritonte Mascherano!”

La Gazzetta dello Sport – Botërori i Messit u mbyll me 4 gola, por ndryshimi nga Maradona është se Diego “u ndez” në fazën decizive të Botërorit “Meksikë 1986” kundër Belgjikës dhe Anglisë. Pas përfundimit të fazës së grupeve, Messi nuk shënoi më. Nuk ishte Botërori që prisnim nga Messi, por FIFA e shpalli lojtarin më të mirë.

Globoesporte – Vendim i kritikuar nga të gjithë tifozët në rrjetet sociale. Gjithashtu, FIFA habiti të gjithë lojtarët, ish-lojtarët dhe trajnerët duke i dhënë Messit topin e artë të turneut. Një vendim absurd.

Ole’ – Messit i dhanë çmimin e lojtarit më të mirë të Botërorit. Ai ngjiti shkallët e stadiumit shumë serioz pasi e dinte që ishte një çmim pa vlerë. Mascherano nuk e meritonte? Duket se për FIFA-n mjaftojnë golat në fazën e grupeve dhe një asist në 1/8.

Top Channel