Brazil-Holandë, duel për vendin III

12/07/2014 00:00

Sot në mbërmje do të luhet finalja e vogël e Botërorit, ajo për medaljen e bronxtë apo për vendin e tretë dhe të katërt, mes organizatorëve të Brazilit dhe Holandës.

Selecao vjen në këtë ndeshje pas turpërimit historik nga Gjermania, ku u mundën 7-1. Ata ishin konsideruar si skuadra me më tepër potencial në letër për ta fituar trofeun, por nuk ia dolën.

Për ndeshjen e sotme, Skolarit do t’i rikthehet Tiago Silva, i cili mungoi në ndeshjen me Gjermaninë për shkak të kartonave, ndërkohë që Nejmar, i dëmtuar në ndeshjen me Kolumbinë vazhdon të jetë pushim.

Vetë kapiteni Tiago Silva i ka bërë thirrje tifozerisë që të jetë sa më tepër e pranishme për të mbështetur skuadrën pas asaj disfate të rëndë.

Sa për formacionin, mund të fillojë nga minuta e parë lojën William, në vend të Nejmar, më pas në mbrojtje Dani Alvesh dhe Maksuell mund të zëvendësojnë Maikon dhe Marselon, ndërsa Hernanes do të luajë në mesfushë.

Por nëse Brazili luan për krenari, Holanda duket se do të kërkojë të ruajë rekordin pa asnjë humbje në këtë Botëror në kohën e rregullt, pasi eliminimi i tyre nga Argjentina erdhi pas gjuajtjes së penalltive.

Përpara Argjentinës, Holanda mundi Spanjën, Australinë, Kilin dhe Meksikën, ndërkohë që me Kosta Rikën kaluan me penallti. Van Gaal në këto ndeshje ka përdorur 22 lojtarë, pra të gjithë të grumbulluarit.

Ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bajernit të Mynihut, sot mund ta fillojë lojën me Tim Krul, heroin e penalltive në ndeshjen ndaj Kosta Rikës, ndërsa ka ndërmend të përdorë të gjithë rezervat e deritanishme, duke u dhënë shansin për të qenë të gjithë pjesëmarrës në këtë Botëror që nuk shkoi mirë për ta.

Për më tepër që këtë ndeshje Van Gaal e cilëson të pavlerë, duke deklaruar disa herë publikisht se më mirë të mos luhet fare. Ndeshja mes Holandës dhe Brazilit do të luhet në orën 22:00.

Top Channel