PD: Arben Ndoka i dënuar në Itali

12/07/2014 00:00

Partia Demokratike ka publikuar një dosje që përmban tre dokumenta, që vërtetojne sipas saj, kryrjen e dënimit me burg nga deputeti socalist Arben Ndoka, që agresoi fizikisht dhe kanosi me jetë të enjten në Parlament deputetin e opozites, Gent Strazimiri.

“Kemi këtu dosjen e plotë të deputetit Arben Ndoka, i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 27 ditë burg nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj personave të tjerë.

Gjykatat shqiptare, ajo e faktit në Lezhë dhe e Apelit në Shkodër kanë bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Romës dhe e kanë ulur masën e dënimit në 4 vjet burgim. Arben Ndoka është transferuar nga Italia për ta vuajtur dënimin në Shqipëri.

Më pas ai ka përfituar nga sistemi ynë i drejtësisë lirim para kohe me kusht dhe në vitin 2005 është liruar. Ky është pra personi që Edi Rama futi në listën e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit”, deklaroi deputeti Arben Ristani në një komunikim me mediat.

Sipas Partisë Demokratike, këto janë edhe provat që vërtetojnë lidhjet e kryeministrit Rama me krimin.

“Dokumentet zyrtare që vërtetojnë se përfaqësuesit e botës së krimit janë sot deputetët e Edi Ramës, që urdhërohen prej tij për të goditur fizikisht opozitën. I rikujtojmë shqiptarëve se për t’i hapur rrugë futjes së Arben Ndokës në Parlament, Edi Rama spostoi dhunshëm dy deputete gra që ishin para Ndokës në listën e kandidatëve. Ky është personi që Edi Rama urdhëron të godasë fizikisht deputetët e opozitës. Kjo është rilindja e Edi Ramës”, theksoi Ristani.

Reagon Ndoka

Nëpëmjet një reagimi të gjatë në Facebook deputeti socialist Arben Ndoka thotë se opozita ka publikuar një vendim gjykate për të duke vazhduar në këtë mënyrë përpjekjet e saja për të bërë pis emrin dhe figurën e tij.

Ndoka sqaron se gjatë qëndrimit në Itali si emigrant e ka ndaluar policia italiane dhe pasi janë bërë sqarimet për ngjarjen në fjalë me të cilën nuk kishte  aspak lidhje, siç e vërteton dhe fashikulli hetimor, ka vazhduar i qetë rutinën e jetës në atë qytet.

Procesi ka vazhduar pa dijeninë time si në shumë raste në vëndet fqinje, thotë Ndoka, dhe ndaj meje është marrë një masë në mungesë duke, jo vetëm mos u mbrojtur në proces nga ndonjë avokat, por përkundrazi duke u abuzuar me mungesën time nga avokatët e të akuzuarve të tjerë për të lehtësuar klientët e tyrë duke rënduar pozitën time.

Këtë, sipas tij, e provon dhe fakti që personat të cilët akuzoheshin si autor morën dënime minimale, ndërsa ndaj meje, për krijimin e lehtësirave ishte dhënë një masë shumë më e rëndë me të cilën jam njohur krejt rastësisht në vitin 2002, vijon Ndoka.

Deputeti Ndoka sqaron se pas kësaj periudhe ai ka punuar në disa institucione si në Gardën e Republikës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore dhe në Drejtorinë e Policisë Qarkut Lezhë dhe  në postin e Drejtorit të Drejtorisë të Ekzekutimeve dhe më pas si Drejtor i Drejtorisë Teknike deri në momentin e kandidimit si deputet, duke pasur këto emërime firmën e ministrit të qeverisë Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.

Në fund të reagimit deputeti Ndoka deklaron se “këtë fatkeqësi timen të ndodhur në adoleshencë për lapsus të sistemit të drejtësisë italiane opozita po përpiqet ta trasformojë në njollë dhe në të kaluar kriminale me fjalët më të rënda për dinjitetin tim personal dhe të familjes time e cila nuk i përket racës çnjerëzore, as të Strazimirit, as të Ristanit apo Berishës për të cilët do të flas më vonë gjëra të cilat nuk janë dëgjuar kurrë nga shqiptarët dhe pse disa mund t’i dinë, por nuk marrin guximin që t’i thonë”, mbyll reagimin ai.

Top Channel