100,000 tifozë argjentinas në Rio

12/07/2014 00:00

Finalja e madhe e Botërorit “Brazil 2014” mes Argjentinës dhe Gjermanisë, e cila do të luhet ditën e diel në orën 21:00, pritet të ketë një interes të jashtëzakonshëm në të gjithë rruzullin.

Interesi sigurisht që do të jetë më i madh në Gjermani dhe Argjentinë. Sipas parashikimeve të Organizatorëve të Botërorit të paktën 100 mijë tifozë argjentinas pritet të mbërrijnë në Rio De Janeiro, qyteti ku do të luhet edhe finalja.

Pjesa më e madhe e këtyre tifozëve nuk kanë mundur të sigurojnë një biletë dhe do të detyrohen ta ndjekin ndeshjen në ambientet e jashtme të stadiumit. Kjo ka çuar në shqetësimin e autoriteteve vendase, të cilat janë të frikësuara nga përleshjet e mundshme me brazilianët. Mësohet se rreth 26 mijë forca të sigurisë, duke përfshirë ushtarë dhe policë do të jenë të angazhuara më 13 korrik për të siguruar rendin.

Legjenda argjentinase, Diego Maradona, i cili ishte udhëhoqi vendin e tij në fitimin Kupës së Botës ndaj Gjermanisë në 1986-ën, është akomoduar në të njëjtin hotel ku ndodhet dhe stafi i Argjentinës, por kjo nuk është pritur mirë nga disa anëtarë të Federatës Argjentinase të Futbollit. Presidenti i federatës e ka etiketuar Maradonën si një ‘mallkim për ekipin’.   

Top Channel