Ish-ambasadori i Shqipërisë, Bashkim Rama e sheh situatën në Maqedoni, pasojë e mosrealizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

13 vjet pas nënshkrimit të këtij akti, ku në Kushtetutën e këtij vendi, shqiptarët u sanksionuan si pjesë shtetformuese e Maqedonisë, të drejtat e tyre nuk u përputhen me angazhimin që u mor me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

“Marrëveshja e Ohrit ishte një marrëveshje shumë e mirë në letër, por shumë elementë të saj mbetën thjesht në letër. Cfarë dështoi? Dështoi përpjekja e shoqërisë maqedonase për integrimin pas 13 vjetëve të shqiptarëve në shoqërinë maqedone. Pushteti lokal, komunat shqiptare, mazhorizmi është shumë e vështirë të luftohet në komunat shqiptare. investimet, ka një diferencë të madhe mes investimeve në zonat maqedonase në krahasim me zonat shqiptare. Punësimi është në nivelet më të ulta në Maqedoni. Privatizimet, janë bërë…është e vështirë të gjesh shqiptarë që të kenë marrë pjesë në proceset e privatizimeve në Maqedoni. Është problemi i gjuhës, i përdorimit të simboleve”, thotë diplomati Rama.

Në këtë sfond thotë diplomati shqiptar duhet kuptuar edhe procesi gjyqësor i njohur si “Monstra”, që nuk është burimi i situatës, por vetëm pasojë e saj.

“U duhet bërë thirrje autoriteteve maqedonase të shohin realitetin në sy. Të mos merren me kualifikime dhe t’i japin ngjyrime fetare apo sipas dëshirës së tyre, aq më pak të bëhen krahasime me gjendjen e minoriteteve maqedone. Është absurde që të mendosh që një grup maqedonas, për të cilët jam i bindur që asnjëherë nuk do të kenë kurrë një rast të tillë që të dënohen me një gjyq të paargumentuar dhe pabazuar me ligjet e vendit, por nuk mund të krahasosh, është e pakrahasueshme me një popullsië mbi 30 përqind të Maqedonisë sic janë shqiptarët”, shton Rama.

Për ish-ambasadorin Rama ka një mungesë simetrie në reagimin partiak të forcës së drejtuar nga Nikola Gruevski, në përgjigjje të deklarimeve të kreut të qeverisë shqiptare. Sikundër s’ka asnjë arsye për t’i cilësuar shqiptarët e Maqedonisë se janë anti-ligj, kur ata më shumë se çdo etni në Maqedoni janë të interesuar për integrimin e këtij vendi në strukturat euro-atlantike.

Hapi i parë drejt ndalimit të përshkallëzimit të situatës, thotë ai, është ndalimi i dhunës nga të gjitha palët.

“Duhet nxituar për shumë gjëra që kanë mbetur nga Marrëveshja e Ohrit të rregullohet disbalanca që është. Duhet shkuar drejt asaj që thashë në fillim, tërheqja e shqiptarëve si pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Maqedonisë”, përfundon ai.

Top Channel