Mijëra protestues shqiptarë kanë marrë pjesë të premten në protestën e organizuar në Shkup. Me flamuj kuq e zi dhe parulla për drejtësi ata kanë kundërshtuar dënimin e 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm në të ashtuquajturin “Procesi Monstra”.

Marshi i protestuesve nuk është lejuar t’i afrohen godinës së Gjykatës Themelore nga forcat e shumta policore që kishin bllokuar rrugën drejt saj. Protestuesit bashkë me familjarët e personave të dënuar, për herë të parë kanë shpalosur katër kërkesat e tyre para mediave.

“Kërkojmë të shpallen si të pafajshëm të dënuarit, lirimin e menjëhershëm dhe dëmshpërblimin e tyre. Shkarkimin e menjëhershëm të prokurores dhe gjykatësit të rastit dhe ndjekjen e tyre penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dorëheqjen e Ministres së Brendshme për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare duke shpallur gjykimin qysh gjatë arrestimit të tyre dhe lirimin e menjëhershëm të protestuesve në Shkup dhe Tetovë”, tha Daim Luçi, protestues.

“Po protestojmë bashkë me bashkëqytetarët dhe jemi mirënjohës që po na japin përkahje. Ne do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona sepse nuk na ngel gjë pos rrugës”, deklaroi Bedri Ajdari, familjar i njërit prej shqiptarëve të dënuar . 

Protestave të së premtes, që ka përfunduar e qetë, i janë bashkangjitur edhe personalitete ndryshme, si  politikani Hysni Shaqiri, kryetari i Komunës së Strugës, Zijadin Sela, publicisti Kim Mehmeti, kampioni europian i boksit Nuri Seferi dhe disa intelektualë të tjerë të njohur.

Ndërkohë, për sot ka qenë e paralajmëruar një protestë edhe nga maqedonasit, të cilët kundërshtojnë protestat e shqiptarëve. Por tubimi i tyre është anuluar.

Top Channel