Neymar: Mund të kisha përfunduar në karrocë

11/07/2014 00:00

Ndërhyrja e rëndë e Zuniga-s ndaj Neymar në ndeshjen çerekfinale mes Kolumbisë dhe Brazilit e detyroi ylli brazilian ta përfundonte para kohe Botërorin e shumëpritur prej tij.

Mes lotësh ylli brazilian ka folur para gazetarëve mbi dëmtimin, si edhe për humbjen turpëruese 7-1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale.

“Nuk mund të them se Zuniga kishte si synim të më dëmtonte mua, nuk e di se çfarë kishte ai në kokën e tij, por të gjithë ata që e ndjekin futbollin e kanë kuptuar që ajo nuk ishte një ndeshje normale. Më mbrojti zoti, mund të kisha përfunduar në karrocë për gjithmonë”, u shpreh Neymar.

Neymar tha se një ditë pas ndeshjes, Zuniga i kishte kërkuar falje. “Nuk e urrej, nuk mund ta quaj armik”, tha ai.  

Lojtari i Barcelonës u distancua nga komentet e bëra nga agjenti i tij, Wagner Ribeiro, mbi trajnerin Scolari, të cilin ai e kishte cilësuar si ‘të vjetër, arrogant dhe qesharak’.

“Nuk mund ta mbështes  atë që Riberiro ka thënë për Scolarin”, është shprehur Neymar, i cili ka shtuar se pavarësisht humbjes së thellë ndaj Gjermanisë ai është krenar për shokët dhe kombëtaren e tij.

“Nuk më vjen turp që jam brazilian, përkundrazi, jam krenar për këtë kombëtare”, shtoi ai.

FOTO GALERI
1/7
Neymar: Mund të kisha përfunduar në karrocë

Top Channel