Kualifikim historik për Laçin, kalon edhe Flamurtari

10/07/2014 00:00

Laçi bën historinë dhe kualifikohet për në raundin e dytë paraeliminator të Europa League. Skuadra kurbinase eliminoi sllovenët e Rudar Velenjes vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave, në një ndeshje që mund ta kishte mbyllur fare mirë brenda 90 minutëshit.

Pjesa e parë përfundoi me barazimin 0-0 edhe pse mundësitë për shënim për skuadrën laçjane nuk munguan.

Në fillimin e pjesës së dytë, kurbinasit gjetën avantazhin me Adeniji dhe gjithçka ishte në rrugën e duhur. Laçi mund të kishte shënuar edhe gola të tjerë për të vulosur përfundimisht kualifikimin, por në sekondat e fundit të takimit Eterovic barazoi gjithçka, duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë. Gjatë këtyre 30 minutave gjërat nuk ndryshuan dhe fati i kësaj sfide u vendos nga lotaria e 11-metërshave. Në këtë pikë ai që shkëlqeu ishte portieri Vujadinovic që priti 3 nga 5 gjuajtjet e futbollistëve të Rudar, ndërkohë që laçianët u treguan të saktë në 3 tentativa duke siguruar një vend për në raundin e dytë të Europa League.

U kualifikua për më tej edhe Flamurtari, pavarësisht disfatës 1-2 me skuadrën e Sion Bolnis.  Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë të takimit me Sionin që shënoi golin e parë me Ugulavën në minutën e 56. Në minutën e 83, Kuqi shënoi autogol në portën e tij,  duke bërë që për një moment Flamurtari të shohë veten të eliminuar. Por pas 2 minutash Shehaj nxori nga vështirësitë skuadrën e Ernest Gjokës, duke shënuar golin e vetëm të Flamurtarit, por që ka një peshë të rëndë pasi i jep kualifikimin skuadrës së tij.

Ndërkohë në “Qemal Stafa” Kukësi është eliminuar që në raundin e parë pasi nuk mundi të shkojë më tepër se një barazim 0-0 me Kairat Almati, skuadrën nga Kazakistani. Në ndeshjen e parë kuksianët ishin mundu 1-0 ndërkohë që në këtë ndeshje të kthimit, loja ka qenë e barabartë ashtu si rezultati që avantazhon më tepër skuadrën mike.

Top Channel