Deputetët e partive shqiptare, BDI dhe PDSH, kanë polemizuar përmes konferencave për shtyp rreth situatës së fundit në Maqedoni.

Menjëherë pas miratimit të zv/ministrave të përbërjes së re qeveritare nga ana e Parlamentit, deputeti i PDSH-së opozitare, Bekim Fazliu tha se drejtuesit e BDI-së janë të interesuar vetëm për kolltuqe dhe në vend që të merren me situatën e fundit, ata prioritet i japin akomodimit të kuadrove nëpër postet qeveritare.

“Kjo i ngjan më së miri thënies, ‘fshati digjet, BDI krihet’. Përveç përmbushjes së interesave grupore dhe klanore, BDI-së vazhdon që t’i interesojë vetëm akomodimi nëpër kulltuqet qeveritare dhe asgjë tejtër nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e preokupimit të tyre. Aq më pak hallet dhe kërkesat e shqiptarëve”, deklaroi Fazliu.

Nga partia shqiptare në pushtet, BDI, thanë se proçedurat për emërimin e zv/ministrave nuk kanë lidhje me situatën e fundit në Maqedoni.

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi tha se përkushtimin e partisë që përfaqëson ai ndaj interesave kombëtare, më së miri e dëshmon mbështetja e vazhdueshme që shqiptarët i japin BDI-së në zgjedhje.

“Në këtë moment, më e arsyeshme do të ishte që opozita shqiptare, duke përfshirë PDSH dhe RDK, të jenë në krye të detyrës së tyre, për atë për të cilën i ka zgjedhur pjesa e elektoratit tjetër shqiptar, se sa të merren me atë se si vepron BDI”, tha Xhaferi.

Ndërkohë, lidhur me protestat e paralajmëruara për ditën e premte, dy partitë shqiptare kanë ftuar qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të përmbahen nga veprimet e dhunshme.

BDI dhe PDSH kanë ftuar institucionet kompetente që të merren me rastin gjyqësor “Monstra”, duke respektuar tërësisht standardet ndërkombëtare. Thirrje për protesta të qeta kanë bërë edhe liderët maqedonas.

Shkupi, notë proteste Tiranës dhe Prishtinës
“Po ndërhyni në punët e brendshme të Maqedonisë”

Për herë të parë pas nisjes së protestave në Maqedoni, ka reaguar Ministria e Jashtme e këtij vendi. Ajo u ka dorëzuar një notë proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup, ku gjykon deklaratat e zyrtarëve shqiptarë lidhur me zhvillimet në Maqedoni, si dhe djegien e flamurit maqedonas në Kosovë.

Në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme maqedonase thuhet se, deklaratat e dhëna nga zyrtarët shqiptarë janë ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Deklarata të tilla mund të interpretohen si përzierje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë dhe nuk janë në drejtim të forcimit të besimit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë”, thuhet në komunikatë.

Ky reagim vjen dy ditë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha se faji për protestat e shqiptarëve në Shkup qëndron te mosimplemenetimi i Marrëveshjes së Ohrit, me çka faktikisht akuzoi BDI-në, si subjekt që 10 vite udhëheq sektorin për implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Top Channel