Romero, heroi “me shënime nëpër duar”

10/07/2014 00:00

Përgatitjet për një ndeshje të finaleve të botërorit, sidomos kur bëhet fjalë për një gjysmëfinale sic ishte ajo mes Argjentinës dhe Holandës janë maksimale.

Këtë e treguan edhe 120 minuta lojë “nervash” taktike mes dy trajnerëve dhe lojtarëve në fushë. Gjithcka ishte menduar në perfeksion për të ndaluar “elementët e rrezikshëm” në skuadrën kundërshtare dhe për rrjedhojë Messi e Robben u neutralizuan.

Por ndeshja duhet të nxirrte një fitues, finalisten tjetër që do të diskutojë të dielën në orën 22:00 finalen me Gjermaninë dhe sic e do rregulli në të tilla raste skuadrat iu drejtuan “lotarisë” së penalltive.

Në këtë pjesë finale të lojës fati luan një rol të caktuar, por jo gjithcka është në dorë të tij e këtë e tregoi edhe ndeshja e mbrëmshme. Argjentinasit eleminuan Holandën nga pika e bardhë falë dy pritjeve të protierit Romero. Ky i fundit priti gjuajtjet e Vlaar dhe Sneijder. Pritjet nuk ishin të rastësishme, por të mirëstudiuara. Nëse vihet re, në momentin që një lojtar holandez i drejtohej penalltive, Romero lexonte udhëzimet që kishte marrë prej stafit të cilat i kishte të shkruajtura në dorën e tij të majtë.

Një tjetër dizavantazh për “Tulipanët” ishte edhe përvoja e hidhur me penalltitë e portierit Jasper Cillessen, i cili në gjithë karrierën e tij, edhe pse të shkurtër, nuk ka pritur asnjëherë një 11-metërsh. E si të mos mjaftonte kjo, Van Gaal me shpresën se do të zgjidhte takimin pa shkuar tek penalltitë harxhoi të gjitha zëvendësimit dhe heroit të kualifikimit me Kosta Rikën, portierit Tim Krul nuk i mbeti gjë tjetër vecse të shihte nga distanca mposhtjen e skuadrës së tij.  

Top Channel