Scolari: Nuk e di se çfarë ndodhi në ato 6 minuta

10/07/2014 00:00

Humbja e rëndë që pësoi Brazili në gjysmëfinalet e Botërorit ndaj Gjermanisë bëri që Luiz Felipe Scolari të dilte të mërkurën në një konferencë për shtyp për të shpjeguar atë që ndodhi në Belo Horizonte.

Në fillim u mendua se në këtë konferencë do të lajmëronte dorëheqjen e tij, por ai thjesht kërkoi falje për dështimin dhe të ardhmen e tij ia la në dorë drejtuesve të rinj të Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF), edhe pse zëvendëspresidenti i ardhshëm i Federatës bëri të qartë se “Felipao” nuk ka më vend në Seleçao.

“Jam trajner të paktën deri në fund të Botërorit. Më pas, do të diskutojmë me drejtuesit e CBF-së dhe do të merren vendimet e duhura”, tha Scolari.

Trajneri mbrojti edhe punën e bërë nga stafi i tij teknik dhe lojtarët brazilianë në këtë Botëror: “Puna e bërë nuk ishte e gjitha e keqe. Patëm vetëm një humbje që e pësuam në 6 minuta lojë. Nuk e di se çfarë ndodhi në ato 6 minuta.”

Top Channel