Peshëngritje, Çerçizi rezulton pozitiv

08/07/2014 00:00

Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes ka pezulluar 2 vjet peshëngritësin shqiptar, Arbër Çerçizi, i cili ka rezultuar pozitiv në testin antidoping.

Në deklaratën, që zyra juridike i ka dërguar presidentit Elez Gjozaj dhe sportistit Çerçizi, thuhet se, gjatë kontrollit në Mars të këtij viti, peshëngritësit 17-vjeçar i është gjetur substanca testosterone/epitestosterone, një substancë kjo, e cila është në listën e të ndaluarave nga VADA.

Çerçizit i është ofruar të bëjë testin B, por pasi nuk ka pranuar ta bëjë këtë, Federata Ndërkombëtare ka vendosur ta pezullojë për 2 vjet nga çdo aktivitet 17-vjeçarin Çerçizi, pezullim ky që përfundon më 9 Maj të vitit 2016.

Peshëngritësit fierak i ka ardhur një shuplakë edhe nga Federata shqiptare e Peshëngritjes. I kontaktuar me tel nga Top Channel, presidenti Gjozaj ka theksuar se sportisti Çerçizi është pezulluar edhe nga Federata shqiptare për një periudhë 4-vjeçare.

Madje, Gjozaj ka deklaruar se pezullimi mund të shndërrohet edhe në përjashtim nga sporti, në rast se peshëngritësi nuk do të paguajë gjobën prej 5 mijë USD, që ka marrë Federata jonë nga ajo Ndërkombëtare, për këtë rast.

Në 4 vitet e fundit, Arbër Çerçizi është peshëngritësi i 6 shqiptar, që pezullohet nga Federata Ndërkombëtare për përdorim substancash të ndaluara, por ndryshe nga të tjerët, 17-vjeçari ka rezultuar pozitiv gjatë stërvitjeve normale, pra gjatë ditëve pa impenjime në gara kombëtare apo ndërkombëtare.

Top Channel