Gjysmëfinalja 1, duel mes titanësh

08/07/2014 00:00

Duel mes titanësh, vetëm kështu mund të përkufizohet gjysmëfinalja e mbrëmjes së sotme, Brazil-Gjermani, e cila për këta të dytët do të jetë dhe një revansh për finalen e Botërorit 2002, vitin kur “Selecao” mori titullin e pestë kampion.

Scolari do të bëjë disa zgjedhje të detyruara, për shkak të pezullimit të Thiago Silva-s dhe dëmtimit të Neymar. “E kam në mendje skuadrën, por nuk do ta publikoj”, ka deklaruar trajneri brazilian. Pasi ka vlerësuar kundërshtarin, Scolari ka theksuar se lojtarët, që do të dalin në fushë, do të luajnë për Neymar-in dhe për t’ia rikthyer buzëqeshjen popullit brazilian, pas dëmtimit të yllit të ri të “Selecao”-s.

Ndërkohë, Joachim Löw, në konferencën e fundit, ka preferuar t’i japë disa këshilla arbitrit meksikan. “Shpresoj që gjyqtari Rodriguez të tregojë më shumë kujdes rreth simulimeve të lojtarëve brazilianë, të cilët nga ndeshje në ndeshje po e rrisin dozën e tyre. Nëse do të vazhdojnë kështu, atëherë s’do të kemi nevojë për lojtarë të kalibrit të Neymar, Messi, Özil, Götze apo Reus, por vetëm për lojtarë që të shkatërrojnë apo të prishin lojën”.

Brazili ka 39 vjet që nuk pëson humbje në një ndeshje zyrtare në fushën e vet. Nga 63 sfida të luajtura, “Selecao” ka triumfuar 44 herë dhe ka barazuar në 19 përballje. Por, pavarësisht këtyre statistikave, për kompanitë e basteve, kombëtarja e Löw shihet si më e favorizuar për të mposhtur brazilianët dhe për të dalë në finale. Fitorja e tyre është kuotuar 2.6, barazimi 3.25, ndërsa suksesi i brazilianëve është 2.75.

Top Channel