Biletat e Botërorit në treg të zi, arrestohet zyrtari

07/07/2014 00:00

Policia braziliane ka arrestuar drejtorin e një kompanie partnere të FIFA-s si pjesë e hetimeve për shitjen e paligjshme të biletave të Kupës së Botës.

Ray Whelan, i arrestuar gjatë ditës së hënë akuzohet për kryesimin e rrjetit ndërkombëtar që merrej me shitjen në treg të zi të biletave.  

Një javë më parë, 11 persona u vunë në pranga. Policia deklaroi se më shumë se 90 milion dollarë janë përfituar nga personat të cilët kryenin shitjen e paligjshme të biletave. Kjo skemë mendohet të ketë funksionuar në 4 botërorë. Personave të arrestuar u sekuestruan gjatë arrestimit 100 bileta, kompjutera, celularë dhe një shumë parash.

Javën e kaluar autoritetet braziliane thanë se kishin identifikuar personin e parë, zyrtar të FIFA-s, i cili dyshohej të ishte përfshirë në këtë rrjet dhe ishte zbuluar nga thirrjet telefonike.

Të arrestuarit do të përballen me akuzat e ‘pastrimit të parave’ dhe shitje të ‘paligjshme të biletave’.

Top Channel