Ronaldo: Brazili nuk i trembet askujt

07/07/2014 00:00

Dëmtimi që i dha fund Botërorit të Neymar i ka lënë thuajse të gjithë brazilianët të shokuar, por ka të paktën një person që vazhdon t’i mbështesë ata pavarësisht kundërshtimeve, madje një person tepër prestigjioz, i cili sheh ende dritë në fund të tunelit për “Selecao”-n.

Ky fans i zjarrtë është një prej idhujve të dikurshëm të Brazilit, “fenomeni” Ronaldo, i cili e di më mirë se kushdo tjetër, se si mund t’ia dalin ekipet e mëdha në mungesë të një lojtari kyç, duke rizbuluar vetveten.

“Fenomeni” e përjetoi vet këtë gjë në finalen e Botërorit të 2002-shit, në Kore dhe Japoni, kur Gjermania rezultoi një rival tepër i vështirë për Brazilin, pavarësisht mungesës për shkak pezullimi të mesfushorit të tyre më të mirë, Michael Ballack.

Edhe pse brazilianët triumfuan në atë rast, lufta e shfaqur nga e supozuara Gjermani më e dobët i jep shpresa dhe arsye Ronaldos të besojë se Brazili mund të japë më shumë nga sa pritej prej tyre, edhe pa Neymar, kur të dy kombëtaret të takohen në gjysmëfinalen e së martës.

“Të gjithë jemi frikësuar me dëmtimin që pësoi ai, nuk ka asnjë dyshim që Brazili ka humbur një yll të tijin, madje edhe kërcënuesin kryesor për t’u shënuar rivalëve”, tha Ronaldo për FIFA.com. “Megjithatë, duhet të ecim përpara. Është një ndeshje e madhe mes dy kombëtareve më të mëdha të futbollit botëror, ndaj nuk i shoh ata si favoritë. Përkundrazi, Selecao është gjithnjë favorite, ndaj kujtdo kundërshtari në botë”.

Optimizmi i palëkundur i Ronaldos është bazuar gjithashtu edhe në rolin që do të luajë trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Scolari, në krijimin e formacionit, jo vetëm në përzgjedhjen e duhur të taktikave, por edhe në hedhjen në fushë të futbollistëve.

“E njoh Felipen shumë mirë, – tha ish-sulmuesi. – Ai është një motivues i madh dhe jam i bindur që do ta nxisë ekipin e tij të shohë përpara në këtë moment, veçanërisht lojtarin që do të zbresë në fushë në vend të Neymar”.

Top Channel