Schweini: Mungesa e Neymar, një mëkat

07/07/2014 00:00

Dëmtimi i Neymar, i cili nuk do të mund të luajë në gjysmëfinalen e këtij Botërori ndaj Gjermanisë, favorizon padiskutim gjermanët. Megjithatë, Schweinsteiger nuk e pret me kënaqësi dëmtimin e brazilianit.

“Mbi të gjitha më lejoni të them se jemi të gjithë shumë të trishtuar, për faktin që Neymar nuk do të mund të luajë kundër nesh. Në fakt, me këtë dëmtim ka humbur spektakli, pasi më të mirët duhet të jenë gjithnjë në fushën e lojës”, tha Schwein-i.

Mesfushori gjerman i frikësohet edhe një reagimi “në nder të tij” nga ana e Brazilit, i cili pas dëmtimit të rëndë të Neymar do të jetë dyfish i motivuar.

“Tashmë mund ta imagjinoj se e gjithë kombëtarja braziliane do të jetë më kompakte dhe më e bashkuar se kurrë, për të zbatuar me përpikmëri udhëzimet e Scolari-t dhe Parreira-s (ndihmësit). Bëhet fjalë për teknikë që kanë eksperiencë të madhe, ndaj dhe mendoj se të martën do të kemi një sfidë jo vetëm në fushë, por edhe në pankina. Do të fitojë ai që do të luajë ndeshjen më inteligjente. Faktori fushë është avantazh për ta, përveç aftësive teknike që kanë”, përfundoi Schweinsteiger.

Top Channel