Hamilton, “mbret” në Silverstone

06/07/2014 00:00

Lewis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Britanisë. Britaniku i Mercedes kryen një garë në ngjitje, duke ditur se u nis nga vendi i 6 për të kapur majën.

Edhe pse gara u ndërpre për shumë kohë, pas atij aksidenti të frikshëm të Kimi Raikkonen, me Ferrari, i cili pasi humbi kontrollin e njëvëndëshes së tij përfshiu në incident edhe dy pilotë të tjerë, Massa dhe Chilton, pas rinisjes (një xhiro me Safety Car në pistë), piloti britanik pati një start fantastik, duke iu afruar gradualisht shokut të tij të skuadrës, Rosberg, i cili mbajti kreun e garës deri në xhiron e 29.

Hamilton përfiton nga problemet në marshet e Rosberg në këtë moment dhe merr kryesimin, që nuk do ta diskutonte deri në fund të garës.

Bottas ngjitet për herë të parë në vendin e dytë, duke konfirmuar se Williams është në një moment të mirë. Tregon ritëm të shpejtë në fillim të garës dhe i shkëputet pilotëve të tjerë. Australiani Ricciardo ngjitet në vendin e fundit në pod, atë të tretin. Vazhdon të performojë më mirë se shoku i tij i skuadrës, 4 herë kampioni i botës, Vettel.

Button në vendin e 4 jep shenjat e para se McLaren po ringjallet. Dyshja Vettel – Alonso dhuron spektakël përgjatë pjesës së fundit të garës, në luftë për të marrë vendin e 5. Në fund, gjermani i Red Bull del fitimtar.

Renditja e 10 pilotëve të parë është: Hamilton, Bottas, Ricciardo, Button, Vettel, Alonso, Magnussen, Hulkenberg, Kvyat, Vergne.

Top Channel