F1, Silverstone, incident i frikshëm për Kimin

06/07/2014 00:00

Ka përfunduar me një përplasje të frikshme Çmimi i Madh i Anglisë, në Silverstone, për Kimi Raikkonen.

Në xhiron e parë të garës në pistën britanike, finlandezi i Ferrarit doli nga pista dhe në momentin e rikthimit ka humbur kontrollin e njëvëndëshes së tij, për shkak të rrëshqitjes, duke shkuar për t’u përplasur fuqishëm kundër barrierave mbrojtëse.

Në incidentin e frikshëm janë përfshirë edhe Massa, i cili është detyruar të tërhiqet gjithashtu nga gara e Anglisë në ditën e tij festive, gjatë së cilës festonte pjesëmarrjen e 200-të të tij në garat e Formula 1, por edhe Chilton me Marussia.

Raikkonen doli me këmbët e tij nga Ferrari, edhe pse duke çaluar. Bëhet e ditur se për “njeriun e akullt” nuk ka asnjë pasojë të rëndë shëndetësore, përveç një problemi në kaviljen e këmbës së majtë. Siç raportojnë mediat e huaja, gjëja e parë që ka thënë Kimi, duke folur me njerëzit e tij te skudëria e Maranello-s, ishte: “A është mirë Massa?”.

Top Channel