Zuniga: Nuk doja ta lëndoja Neymarin

05/07/2014 00:00

Camilo Zuniga, mbrojtësi i krahut kolumbian i cili i theu një vertebër Neymarit në ndeshjen çerekfinale të Botërorit mes Brazilit dhe Kolumbisë, deklaroi pas takimit se nuk kishte ndërhyrë me qëllimin për të dëmtuar yllin e Seleçaos.

“Nuk doja ta lëndoja. Në fushë luaj me vendosmëri, por kurrë nuk mendoj për të dëmtuar kundërshtarët”, tha lojtari i Napolit.

Në minutën e 86 të ndeshjes, kur Brazili po fitonte 2-1 ndaj Kolumbisë, Neymar po mundohej të ruante topin duke i kthyer shpinën Zunigës, i cili me vrull u sul nga pas duke e goditur me gju lojtarin e Barcelonës e duke i thyer një vertebër.

“Po kërkonim golin e barazimit dhe u bë një ndeshje e ashpër. Të dyja palët po bënim ndërhyrje të forta. Shpresoj të mos jetë asgjë e rëndë, do i lutem Zotit. Neymar është një talent i madh i Brazilit dhe gjithë botës”, shtoi Zuniga.

Top Channel