Sabella: Nuk e bën Messi Argjentinën…

04/07/2014 00:00

Trajneri i Argjentinës, Alejandro Sabella, refuzoi gjatë së premtes sugjerimet se ekipi i tij është më se i varur nga fituesi i katërfishtë i “Topit të Artë”, Lionel Messi, gjatë këtij Botërori në Brazil. Sabella ritheksoi edhe njëherë ndihmën që Messi merr nga shokët e tij të skuadrës.

“Çdo ekip që do të kishte një lojtar si Messi, do të varej ndjeshëm nga ai”, tha Sabella, ekipi i të cilit do të përballet me Belgjikën në çerekfinalet e Botërorit në Brazil, ditën e shtunë. “Por, besoj se ajo që po bën Leo është edhe kontribut i të gjithë ekipit. Ai është lojtari më i mirë në botë, por është gjithashtu pjesë e një ekipi”.

Messi ndihmoi në zgjidhjen e përballjes së fundit, në 1/8-at e finaleve kundër Zvicrës, me një asist në kohët shtesë për Angel di Maria-n, por Sabella thekson gjithashtu edhe punën e bërë nga zëvendësuesi Rodrigo Palacio në atë ndërtim aksioni.

“Topi i atij aksioni u fitua nga Palacio, një sulmues i cili po luan si mesfushor”, shtoi Sabella. “Ai pasoi për Messi-n dhe ky i fundit, duke përfituar nga pozicioni i favorshëm, e pati të lehtë t’ia kalonte Di Maria-s”.

Me 4 gola dhe 2 asiste mbi shpatulla, Messi është përgjegjës kryesor i 6 nga 7 gola të shënuar gjithsej prej Argjentinës, në Brazil 2014. E megjithatë, Sabella mendon se është e padrejtë të thuash se Argjentina është më se e varur nga superylli i Barcelonës, i cili dështoi të shënonte qoftë edhe 1 gol në turneun e 4 viteve më parë, në Afrikën e Jugut.

Top Channel