Reagimet pas ndeshjes Gjermani-Francë

04/07/2014 00:00

Pas fitores minimale ndaj Francës, por të mjaftueshme për ta dërguar Gjermaninë në gjysmëfinalet e katërta radhazi dhe të 18-at në histori, trajneri i gjermanëve Joachim Low është shprehur se i druhej sulmit francez, ndaj bëri një riformatim të titullarëve të tij.

“Mendoj se të dy ekipet luajtën një lojë mbrojtëse sot. Nuk pati shumë raste për gola, gjë që ishte edhe në planin tonë, pasi nuk donim t’i jepnim Francës shansin për të rrezikuar, duke ditur kualitetet e sulmuesve të saj. Arritëm t’i mbyllnim mirë dhe kjo rezultoi decizive. Edhe ata u përpoqën të bënin të njëjtën gjë ndaj nesh, sepse Cabaye dhe Pogba ishin një mburojë e mirë për mbrojtjen. Ndaj e dinim se duhet të luanim më shumë nga krahët për të shënuar, ndaj dhe e ktheva Philipp Lahm në rolin e mbrojtësit të djathtë. Franca dhe gjithçka për të barazuar, por Hummels dhe Boateng ishin të shkëlqyer, ashtu sikurse edhe Manuel Neuer, kur duheshin ndërhyrjet e tij. Kemi arritur kështu gjysmëfinalet e katërta radhazi, një arritje e madhe, por tashmë na duhet të hedhim hapin tjetër…”, tha Joachim Low.

“Edhe pse aventurës sonë në Brazil i erdhi fundi, gjë për të cilën jemi shumë të mërzitur, të zhgënjyer dhe të irrituar, do të ecim përpara. Shpresoj që ky grup lojtarësh të luajë së bashku për një kohë të gjatë. Më duhet të punoj shumë me ta, por gjërat janë premtuese. Do të përpiqemi të ruajmë këtë moment dhe kualitet. Pavarësisht se jemi të zhgënjyer, më duhet t’iu kujtoj se ka shumë gjëra pozitive në këtë ekip, po të kujtojmë të kaluarën. Sot nuk kishte shumë diferenca mes ekipeve, por krahasuar me gjermanët, ne jemi me më pak eksperiencë, ndërsa ata janë mësuar të luajnë ndeshje të mëdha ndërkombëtare, si kjo e sotmja. Ishim më shumë të ndrojtur në pjesën e parë, kur edhe ata shënuan. Më pas treguam më shumë, krijuam raste, por duhet të ishim më cinikë. Manuel Neuer ishte në formë të shkëlqyer. Në fund, ata mund të kishin shënuar edhe një tjetër gol, kur ne u hodhëm në sulm për barazimin”, përfundoi tekniku i “gjelave”.

Nuk mund të mos thoshte disa fjalë edhe autori i golit, mbrojtësi i Dortmundit dhe lojtari më i mirë i ndeshjes së sotme, Mats Hummels.

“Për golin… mund të them që topi i Toni Kroos ishte i mirë dhe u gjenda në vendin e duhur, në momentin e duhur. Jemi duke luajtur një lloj futbolli, i cili na jep shanset për të fituar. Po mbrojmë mirë, me pasion, gjë që duhet të intensifikohet ndeshje pas ndeshjeje. Franca është një ekip elite, sot e patëm të vështirë, nuk mund ta konsideronim një shëtitje. Mendoj se e merituam fitoren”, deklaroi Hummels.

Top Channel