Cerekfinalet e Botërorit

04/07/2014 00:00

Rikthehet mbrëmjen e sotme Botërori me ndeshjet e para çerkefinale. Në orën 18:00 luhet klasikja europiane mes Gjermanisë dhe Francës, për herë të tetë bashkë dhe në total përballjet e tyre shohin në të shkuarën me më shumë fitore skuadrën gjermane, por ajo që vlen të përmendet më tepër është se në të gjithë këto përballje mes tyre janë shënuar 17 gola.

Gjermania vjen në këtë ndeshje pasi ka fituar 2-1 përballë Algjerisë, ku ajo që mbahet mend më tepër nga ajo ndeshje është paraqitja shumë e mirë e portierit Manuel Neuer, duke treguar mangësi të mëdha në repartin mbrojtës.

Gjithsesi, sot Hoakim Lëv do të ketë në dispozicion edhe mbrojtësin e Dortmundit, Mats Humels, që mund të zëvendësojë Shkodran Mustafin, i cili ka mbyllur këtë Botëror për shkak të një dëmtimi.

Përballë tyre Franca që kaloi Nigerinë me dy gola, duke shpëtuar ndeshjen nga ndërlikimet e shtesave. Didie Deshamp do të ketë sot në dispozicion mbrojtësin e Liverpulit Mamadu Sakho, që mund të zëvendësojë të dëmtuarin Koshielni. Sa i përket sulmit, përpara do të jetë Karim Benzema i mbështetur në krah nga Grizhman, ndërkohë që mesfusha e francezëve me shumë gjasa do të jetë sërish në dorën e Pol Pogba.

Ndërkohë, ndeshja e mbrëmjes së sotme do të jetë ajo mes Brazilit dhe Kolumbisë. Vendasit brazilianë shihen me mjaft interes në këtë Botëror duke qenë se konsiderohen edhe si pretendentët kryesorë. Në fazën e kaluar ata eliminuan Kilin me 11-metërsha, falë paraqitjes shumë të mirë të Zhulio Sezar. Trajneri Skolari ka kërkuar ndihmën e psikologes Rexhina Brandao që të ndihmojë lojtarët për të shmangur presionin e madh që po i ushtrohet, ndërkohë që lajmi më i mirë për ta është gjendja e mirë fizike e Nejmar, i cili do të jetë sot në fushën e lojës.

Kolumbia përballë tyre edhe pse në letër duket si më pak e avantazhuara e këtij takimi, ka elementë shumë të rëndësishëm në përbërje që mund ta dëmtojnë Brazilin. Sulmuesi i tyre kryesor James Rodrigez aktualisht kryeson dhe listën e golashënuesëve të Botërorit. Nëse për Kolumbinë kjo fazë e Botërorit është një fazë e panjohur, është trajneri argjentinas që i drejton, Hose Pekerman, ai i cili e njeh mirë këtë moment të Botërorit. Ai ka udhëhequr Argjentinën në vitin 2006, ku u eliminuan pikërisht në 8-she nga Gjermania me penallti.

Ndeshja mes Brazilit dhe Kolumbisë do të luhet në orën 22:00.

Top Channel