Kritikat e Ballack ndaj Gjermanisë

04/07/2014 00:00

Michael Ballack është rikthyer të kritikojë kombëtaren e Gjermanisë. Para supersfidës Francë-Gjermani, ish-kapiteni i “Mannschaft”-it ka sulmuar Gotzen, Ozilin dhe Kroosin. Sipas tij, kjo treshe nuk po jep atë që pritet prej tyre.

“Tani ka ardhur momenti që nuk mund të fshihet askush. I referohem të gjithë atyre lojtarëve që nuk kanë dhënë maksimumin. Flas për Kroosin, Ozilin dhe Gotzen”, shkroi Ballack në kolumnën e tij në gazetën ‘TZ’.

Ish-lojtari i Bayern Munchen i kërkoi këtyre tre lojtarëve të marrin në duar timonin e skuadrës dhe të tregojnë se janë udhëheqës të vërtetë: “Nuk mjafton futbolli i bukur. Unë i kërkoj të vendosin vetë ndeshjet, të japin asiste ose të shënojnë. Duhet të tregojnë që janë fitues.”

Ballack pati kritika edhe për vendimin e Joachim Low për të aktivizuar në mesfushë mbrojtësin Philipp Lahm: “Unë mendoj se Lahmi mund ta ndihmojë më shumë skuadrën nëse luan në pozicionin e tij të vërtetë.”

Top Channel