Europa League, triumfon Flamurtari në Gjeorgji

03/07/2014 00:00

Një ndeshje spektakolare dhe me shumë gola ka qenë ajo e Flamurtarit, në transfertën e vështirë gjeorgjiane, nga ku vlonjatët kanë dalë me kokën lart, duke marrë një fitore të vyer me rezultatin 3-2.

Një takim i hapur deri në minutat e fundit të kohës shtesë, e cila ishte tejet e gjatë me plot 7 minuta, gjatë së cilës u duk sikur dy ekipet ishin pajtuar me rezultatin dhe do ta mbyllnin 2-2. Por, shkodrani Gilman Lika, lojtar i grumbulluar disa herë edhe me kombëtaren kuqezi, shfaqi talentin e tij duke shënuar golin deciziv, një gol i cili i jep aromë kualifikimi kësaj fitoreje në fushë të huaj.

Flamurtari kaloi në avantazh që në minutën e 20’, pas golit të Franc Veliut, por vendasit e Bolnisi-t përmbysën shifrat brenda 4 minutave, pas dygolëshit të shënuar nga sulmuesi i tyre Isiani, 27’ dhe 30’.

Megjithatë, vlonjatët nuk u dorëzuan deri në fund dhe, pasi barazuan shifrat në minutën e 74-t, gjatë pjesës së dytë, arritën të shënonin sërish për të hedhur kështu një hap më të sigurt drejt turit të dytë paraeliminator të Europa League. Një sfidë me shumë duele dhe të ndëshkuar, pasi arbitri kryesor nxorri 5 herë të verdhin për vendasit dhe 4 herë për miqtë.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 10 Korrik, në Vlorë.

Kukësi, humbje minimale 1-0 me Kairat Almaty. Laçi barazon me Rudar Velenje

Kukësi humbet me rezultat minimal, në takimin e parë kualifikues për Europa League-n, me ekipin Kairat Almaty të Kazakistanit 1-0, duke shpresuar ende për një kualifikim të mundshëm në Tiranë.

Në pjesën e parë, mbajtësit e vendit të dytë të kampionatit që lamë pas dhe finalistët e Kupës së Shqipërisë kanë luajtur me kujdes, duke ruajtur rrjetat e paprekura, 0-0.

Në të dytën ka vijuar e njëjta situatë deri në minutën e 89’, atëherë kur vendasit kanë sigluar avantazhin 1-0, me autor goli Darabaev. Takimi i kthimit do të luhet në Tiranë pas një jave, më 10 Korrik.

Ndërkohë, Laçi ka barazuar 1-1 në transfertën sllovene me Rudar Velenje. Sllovenët shënuan në pjesën e parë, ndërsa laçianët barazuan 1 minutë nga fundi i takimit. Golin e vetëm për Laçin e shënoi nigeriani Adeniyi.

Top Channel