Çerekfinalet, gjyqtarë një spanjoll e një argjentinas

02/07/2014 00:00

FIFA ka zyrtarizuar dy gjyqtarët, të cilët do të gjykojnë ndeshjen e 57 dhe të 58 të Botërorit, që po zhvillohet në Brazil, konkretisht dy takimet e para të çerekfinaleve.

Ajo mes Brazilit dhe Kolumbisë do të drejtohet nga Carlos Velasco, arbitër spanjoll. Kjo është e treta ndeshje në këtë kompeticion që gjykohet nga 43-vjeçari, pas atyre mes Uruguajit e Anglisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe Iranit, të dyja në fazën e grupeve.

Në të kaluarën, Velasco ka drejtuar edhe 2 ndeshje në Euro 2012, si dhe gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve të vitit 2013, mes Raja Casablanca, kampiones së Afrikës, dhe Atletico Mineiro-s, kampione e Kupës Libertadores, në Amerikën Latine.

Sa i përket çerekfinales tjetër, asaj mes Francës dhe Gjermanisë, do të ketë për arbitër kryesor Nestor Pitana-n. Karriera ndërkombëtare e 39-vjeçarit argjentinas nisi në vitin 2010, vetëm 3 vite pasi kishte debutuar në ligën më të lartë të Argjentinës, që zhvillohet me dy faza “Apertura” dhe “Clausura”, apo siç njihen së fundi “Torneo Inicial” dhe “Torneo Final”.

Në konfederatën e Amerikës Latine, CONMEBOL, ai ka drejtuar dy ndeshje për Recopa Sudamericana 2012 dhe Copa Libertadores 2013. Turneu i tij i parë madhor i FIFA-s ka qenë Botërori 2013 për U-17, ku drejtoi 3 takime.

Në Botërorin brazilian ai ka gjykuar edhe ndeshjet Rusi-Kore e Jugut, SHBA-Portugali dhe Honduras-Zvicër, të gjitha për fazën me grupe.

Top Channel