Wimbledon, eliminohet edhe kampioni Murray

02/07/2014 00:00

Bullgari Grigor Dimitrov ka shpërfytyruar Andy Murray-n në “Centre Court”, duke i dhënë fund shpresave të kampionit në fuqi të turneut për të mbrojtur titullin në “Wimbledon”.

Në çerekfinale, 23-vjeçari Dimitrov zhvilloi takim të jashtëzakonshëm, duke e mposhtur britanikun 6-1, 7-6 (7-4), 6-2, në një përballje që zgjati 2 orë dhe 1 minutë, duke siguruar njëkohësisht edhe kalimin për herë të parë në një gjysmëfinale Grand Slam-i.

Murray vinte nga një seri prej 17 ndeshjesh me fitore në Wimbledon, teksa synonte të arrinte gjysmëfinalen e 6 radhazi për të. Kjo është hera e parë që prej vitit 2008, kur ai nuk ka mundur të kualifikohet për në 4-shen e më të mirëve, në Tenis.

Dimitrov renditet në vendin e 11 të renditjes botërore të tenisit për meshkuj, kurse skocezi në vendin e 5. Kjo është surpriza e dytë pas eliminimit të Rafael Nadal ditën e martë, për spanjollin një humbje disi më e rëndë pasi nuk mundi të kalonte në çerekfinale përballë Kyrgios.

Top Channel