Escobar, kur autogoli paguhet me jetë…

02/07/2014 00:00

Maria Ester Escobar ishte në Los Angeles në atë ditë fatale, 2 Korrik 1994, por nuk do ta harrojë kurrë momentin kur mësoi lajmin, që i erdhi në orët e para të mëngjesit, në ato orë kur zilja e telefonit është sinonim i emergjencave.

Ajo u mendua pak dhe menjëherë pati një gjendje ankthi. Në anën tjetër të linjës telefonike ishte mesfushori veteran i Kolumbisë, Gabriel Barrabas Gomez, i cili me zë të mekur i konfirmoi asaj atë që i druhej më tepër: “Maria, diçka e tmerrshme ka ndodhur. Andres, Andres është vrarë”.

Për botën e futbollit, Andres ishte një mbrojtës i talentuar, i cili impresionoi tek ekipi i Atletico Nacional i Medelinit, por edhe në kombëtaren e Kolumbisë. Por, për Maria Ester dhe pjesën tjetër të familjes Escobar, 27-vjeçari ishte më shumë se sa futbollist.

“Ishte vëllai ynë i vogël, nderi dhe krenaria jonë”, tha e motra për FIFA.com nga Rio de Janeiro, padyshim me një ndjenjë malli në tonin e zërit të saj.

Dhimbja nuk ka kaluar aspak, pavarësisht 20 viteve të kaluara që kur Escobar u qëllua 6 herë me armë zjarri jashtë një lokali në Medellin, ku ai u ofendua dhe kritikuar nga bashkëkombasit e tij, për shkak të një autogoli të shënuar në Botërorin “SHBA 1994”.

“Ndonjëherë mendoj se do të ishte më mirë, nëse njerëzit nuk do ta kujtonin Andres-in çdo ditë, sepse është shumë e dhimbshme. Por, ai la një shenjë në jetët tona dhe kjo është normale”, shton Jose, një tjetër i afërm i tij.

Ftesa e bërë ndaj familjarëve të Escobar për të parë nga afër Botërorin e Brazilit, riktheu sërish disa ndjenja konfliktuale dhe emocione të hidhura tek anëtarët e familjes së tij, këtë verë.

“Edhe ky Botëror nisi me një autogol (Marcelo me Kroacinë) dhe ky fakt na riktheu kujtime shqetësuese, por këto janë gjëra normale që edhe mund të ndodhin në një ndeshje futbolli. Jemi të lumtur që ndodhemi këtu dhe që kemi pasur rastin të ndajmë së bashku të gjithë gëzimin që të sjell futbolli”, tha Maria Ester.

Në vitin e largët 1994, autogoli i Escobar i mohoi Kolumbisë të drejtën për të kaluar fazën e grupeve, në Botërorin që zhvillohej në SHBA.

Top Channel