Kostoja e lartë e të burgosurve

02/07/2014 00:00

Çdo i paraburgosur i kushton shtetit shqiptar 439 euro në muaj dhe kjo faturë është një ndër shkaqet, që masa e sigurisë arrest me burg duhet të përdoret si mjet i fundit.

Përveç kësaj, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë evidentoi se mbipopullimi vijon të mbetet problem në sistemin penitenciar, ashtu sikundër edhe gjendja e të dënuarve me probleme mendore, apo përmirësimi i programeve individuale për rehabilitimin dhe riintegrimin e një të dënuari.

“Të pasurit e më pak personave në burgje do të thotë më shumë fonde të përdorura në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se personat që dyshohen se kanë kryer vepra penale duhet të ndiqen gjithmonë në gjendje të lirë. Kjo do të thotë se masa e sigurisë arrest me burg duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit nga gjykata, gjatë dhënies së masës së sigurisë, dhe jo si një vendim rutinë”, Florian Raunig, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

“Kjo reformë është e lidhur dhe ka të bëjë dhe me përdorimin e burgimit si mjet i fundit, apo përdorimin e dënimeve alternative, me fokus të veçantë riintegrimin”, u shpreh Artur Zoto, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Por, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, tha se është e nevojshme rritja e cilësisë së punonjësve socialë e psikologëve, e për këtë do të ngrihet “Urdhri i sociologëve e psikologëve”, ndërsa zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, deklaroi platformën e Ministrisë për reformën në burgje.

“Aksioma e kësaj reforme është që ne duam të ndërtojmë sistemin e drejtësisë në Shqipëri vetëm me gurët e ligjit dhe jo ato të politikës. Në këtë prizëm, Ministria e Drejtësisë duhet të jetë gjithmonë e hapur për çdo lëvizje, për çdo alternativë, për çdo grup pune të përbashkët, për të shqyrtuar së bashku alternativat e burgimit, sidomos të të miturve”, tha zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj.

“A mjafton ky progres i këtyre 24 viteve? Mendoj se të gjithë biem dakord se ka shumë punë për të bërë, si në përmbushjen e misionit të burgjeve për të siguruar shoqërinë nga elementi kriminal, nga ana tjetër mbetet edhe më shumë për të riintegruar personat e privuar nga liria, kur ata i kthehen shoqërisë”, tha Edlira Papavangjeli, menaxhere programesh në Komitetin Shqiptar te Helsinkit.

Në konferencën “Për reformën në sistemin penitenciar”, të organizaur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ishin të pranishëm edhe gjyqtarë, prokurorë e specialistë të shërbimit të provës.

Top Channel