Shaqiri përballë Mesit

01/07/2014 00:00

Sot në mbrëmje luhen ndeshjet e fundit që do të përcaktojnë çiftin tjetër çerekfinalist të këtij botërori. Zvicra dhe Argjentina është një ndër ndeshjet më interesante e cila do të luhet në orën 18:00.

Sa i përket diferencës së këtyre dy skuadrave edhe pse në letër duket shumë e madhe, Zvicra vjen si skuadra e vendit të dytë e grupit E pas Francës, ku fitoi me Hondurasin dhe Ekuadorin, ndërkohë që u mund bindshëm nga Franca. Përballë tyre Argjentina është skuadra e cilësuar me sulmin më të mirë në këtë botëror. Vec Lionel Mesit, që është edhe në garën e golashënuesëve më të mirë me 4 gola është edhe Gonzalo Higuain i gatshëm për ndeshjen e sotme dhe që do të jetë padyshim një problem tjeter për mbrojtjen zvicerane.

Nga ndeshjet e para Zvicra ka treguar që ka një repart mesfushe shumë të mirë e solid dhe në rast se nuk do të sulmojë dot Argjentinën, të paktën do të mbrohet mirë. Nga ana tjetër mbrojtja argjentinase ka pësuar vetëm 2 gola në ndeshjen e grupeve, ndërsa Zvicra ka shënuar 7 gola, 3 prej tyre shqiptari Xherdan Shaqiri, i cili i realizoi të gjitha në ndeshjen përballë Hondurasit.

Në tërësi skuadra e Hitcfeld është solide dhe luan mirë në grup, ndërkohë që Argjentina, pavarësisht të gjithave mbetet pretendentja për të kaluar për më tej.

Ndeshja e mbrëmjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me “Djajtë” e Belgjikës. Skuadra e Vilmots e ka mbyllur fazën e grupeve me 9 pikë të plota, duke i ftuar të treja ndeshjet me Algjerinë, Rusinë dhe Korenë e Jugut. Përballë tyre do të jenë SHBA e cila është kualifikuar falë golavarazhit më të mirë se Portugalia dhe sigurisht që kualifikimi deri në këtë fazë për ta është një arritje e madhe edhe pse trajneri Klinsman pretendon se skuadra e tij mund të shkojë më larg.

Ndeshja mes Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara do të luhet në orën 22:00.

Top Channel