Rrëzimi i Muller, pjesë e një skeme

01/07/2014 00:00

Gjermania nuk shkëlqeu, por gjithsesi arriti të fitojë në kohën shtesë 2-1 ndaj Algjerisë dhe të kualifikohet në çerekfinalet e botërorit të Brazilit.

Përvec rezultatit ata që ndoqën ndeshjen u bënë dëshmitarë të një situate komike gjatë pjesës së dytë të takimit. Gjermania fiton një goditje dënimi pranë zonës së rreptësisë. Pranë topit janë Schweinsteiger, Ozil e Tony Kros e më larg qendron Thomas Muller.

Ky i fundit merr vrullin i pari, por rrëzohet e më pas ringrihet menjëherë për t’u futur me shpejtësi në brendësi të zonës, ku priste krosimin e topit. U mendua (dhe mendohet akoma) që bëhej fjalë për një rrëshqitje të Muller. Por jo! Gjithcka ishte pjesë e një skeme goditjeje dënimi të praktikuar në stërvitje nga gjermanët.

Këtë e ka konfirmuar i pari futbollisti Howedes e më pas të tjerët. “Gjithcka ishte një skemë edhe rrëzimi i Muller, por skema nuk funksionoi në topin final që duhej futur në zonë po për Muller”, konfirmon mesfushori për gazetarin gjerman Raphael Honigstein.

Suksesi i skemës dhe konkretizimi i saj me gol ndoshta do ta fuste në listën e skemave më të bukura në historinë e botërorëve, por dështimi i saj me siguri e fut në anën tjetër; në atë të skemave ‘më qesharake’ jo vetëm të botërorëve.

Top Channel