Franca kualifikohet mes vuajtjesh

30/06/2014 00:00

Një Francë ndryshe, një Francë që nuk shkëlqen, ashtu sic bëri në ndeshjet e fazës në grupe, por e mjaftueshme sa për t’u kualifikuar.

“Gjelat” e Didier Deschamps fituan 2-0 përballë Nigerisë dhe bëhen skuadra e pestë që kalon në fazën e çerekfinaleve.

Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim pa gola, madje me një Nigeri më të qartë në lojën e saj dhe aspak inferiore duke rrezikuar disa herë portën e Lloris. Edhe e dyta nis si pasqyrim i së parës. Francezët e kanë të vështirë të ndërtojnë aksione të rrjedhshme dhe vetëm Pogba në mesfushë nuk mjafton.

Në minutën e 57 francezët tolerohen nga gjyqtar i takimit kur një ndërhyrje “kasape” e Matuidit kalohet vetëm me një karton të verdhë. Si pasojë e ndërhyrjes u dëmtua rëndë mesfushori nigerian i Lacios, Onazi, një nga më të mirët në radhët e afrikanëve në fushë.

Pavarësisht se humbën lojtarin më të mirë në fushë deri në ato momente nigerianët nuk e lëshuan veten, por as kjo nuk mjaftoi për të bërë suprizën. Në minutën e 79 një goditje me kokë e Pogba dhe një gafë e portierit të Nigerisë ndryshon gjithcka. Francezët në avantazh, ndërsa në ato pak minuta të mbetur nigerianët hidhen të gjithë në sulm për gjetjen e barazimit, por ndëshkohen sërish. Këtë herë me anë të një autogoli të shënuar nga Yobo.

Franca kualifikohet për në çerekfinale dhe pret vetëm ndonjë surprizë të madhe në ndeshjen Gjermani-Algjeri për të mësuar emrin e kundërshtarit, pasi për shumë ajo është e përcaktuar; një çerekfinale Gjermani-Francë.

Top Channel