“Ata ranë si heronj grekë…”

30/06/2014 00:00

Grekët janë zgjuar këtë fillim javë me një ndjenjë hidhërimi “të ëmbël”. Megjithëse ishte sukses historik, kualifikimi i tyre ndër 16 ekipet më të mira të Botërorit të Brazilit, ata kanë besuar deri në fund se mund të ishin fituesit e ndeshjes me Kosta Rikën, që do i çonte ata në çerekfinale, një sukses që do ishte një “balsam” për një popull të lënduar keq nga kriza ekonomike në pesë vitet e fundit.

Por, pavarësisht humbjes së kësaj ndeshjeje, pas gjuajtjes së 11-metërshave, ata i konsiderojnë lojtarët e kombëtares së tyre të futbollit si heronj kombëtarë.

“Është e padrejtë, luajtën shumë mirë djemtë, heroikisht, madje dhanë gjakun e tyre”, tha Andreas Stravovaris.

Pothuajse gjithë Greqia është gozhduar të dielën në mbrëmje para ekraneve televizive, apo në vende të posaçme, ku ishin vendosur ekranë nga Bashkitë e qyteteve, dhe gëzimi e hidhërimi shpeshherë i kanë lënë vend njëri-tjetrit.

Edhe shtypi sportiv i vendit i ka thurrur ditirambe këtij ekipi, që 10 vjet më parë u kishte sjellë nga Portugalia grekëve kupën e kampionëve të Europës.

“Ata ranë si heronj grekë”, është titulli i gazetës “Goal”. “Greqi mos qaj, arritëm te penalltitë dhe ramë si heronj”, shkruan  gazeta “SportDay”, ndërsa edhe gazetat më të mëdha të vendit, si “TA NEA”, “Eleftherotipia”, “Kathimerini” etj, kanë rezervuar në faqen e parë të tyre komente për kombëtaren heroike të futbollit.

“Në fund na erdhi një ndienjë hidhërimi. E donim shumë fitoren dhe e meritonim, po çfarë të bësh. Për fat të keq, ky është futbolli”, tha Dimitris Dedousis.

Ndërsa në rrjetet e mediave sociale, si Tëitter dhe Facebook, nuk kanë munguar edhe komentet humoristike, duke marrë shkas nga martesa e një prej futbollistëve më të njohur në Greqi, Sokratis Papastathopoulos, mbrojtësi i Borussia Dortmund-it, i cili nëse Greqia do të fitonte me Kosta Rikën, do të duhet të shtynte për më vonë dasmën e tij, që ishte planifikuar këtë të shtunë më 5 Korrik, që për supersticiozët nuk është shenjë e mirë.

“Vjehrra e Papastathopoulos ndodhet pas humbjes së kombëtares, – thuhet në një prej tëeet-eve të promovuar. – Do bëhemi rrezil, kemi shpërndarë dhe kaq ftesa”, nënshkruan dikush tjetër nën emrin e nënës së nuses, duke shtuar, “e di se çdo me thënë të organizosh nga e para një dasëm greke?!?!”.

Top Channel