Gjermania e Franca, favorite në letër

30/06/2014 00:00

Mbrëmjen e së hënës do të zbresë në fushë Gjermania, e cila në këtë fazë të 1/8-ave do të përballet me Algjerinë dhe, sigurisht që në letër ata mbeten favoritë.

Fituesit e Grupit G kanë treguar qartë ambiciet e tyre në këtë Botëror, që në ndeshjen e parë me Portugalinë, të cilën e fituan me rezultatin 4-0 dhe më tej e kaluan fazën e grupeve pa humbje.

Kapiteni Philip Lahm beson se përfaqësuesja e tyre mund të përmirësojë vendin e tretë të Botërorit të kaluar në Afrikën e Jugut 2010, tashmë në “Brazil 2014”.

Gjithsesi, ata janë të vetëdijshëm se nuk do të jetë gjithçka e thjeshtë përballë Algjerisë, skuadër e cila vjen në këtë kualifikim historik, pasi mundi 4-2 Korenë e Jugut dhe barazoi 1-1 me Rusinë.

Trajneri i tyre Halilhodzic beson se skuadra e tij mund ta dëmtojë rëndë Gjermaninë, duke qenë se futet në këtë ndeshje si e nënvlerësuar.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e 1/8-ave për të njëjtën ditë është ajo mes Nigerisë dhe Francës. Skuadra nigeriane kualifikohet në këtë fazë për herë të dytë, që nga Botërori i “Francë 1998”.

Ata arritën deri këtu, pasi u pozicionuan në vend të dytë në grup pas Argjentinës, dhe lanë pas Bosnje-Hercegovinën dhe Iranin. Nga ana tjetër, Franca mbylli një fazë grupesh të plotë me shumë gola dhe, në letër, janë ata pretendentët për të kaluar në çerekfinale.

Edhe pse pritshmëritë janë të tilla, skuadra e Deschamps zhgënjeu në ndeshjen e fundit, ku barazoi 0-0 me Ekuadorin. Gjithsesi, për këtë ndeshje Franca duket të jetë e plotë, pasi i janë rikthyer Patrice Evra, Yohan Cabaye dhe Mathieu Valbuena, të cilët qëndruan pushim në ndeshjen ndaj Ekuadorit.

Për më tepër, te Nigeria, edhe pse ka mbërritur deri këtu, situata nuk është edhe shumë e qetë, nisur nga presionet për bojkot në ndeshjen e kaluar për bonuset që nuk i kishin marrë.

Ndeshja mes Francës dhe Nigerisë do të luhet në orën 18:00, ndërkohë ajo mes Gjermanisë dhe Algjerisë në orën 22:00.

Top Channel