Mrekulli holandeze në Brazil

29/06/2014 00:00

3 minuta të mrekullueshme të Holandës shpëtuan nderin e Europës dhe shuan ëndrrën e Meksikës për të shkuar për herë të parë pas 24 vjetësh në çerekfinalet e një botërori.

Portokallinjtë e drejtuar nga Luis Van Gaal përmbysën për herë të tretë rezultatin në Brazil 2014 dhe mposhtën 2-1 Meksikën e Herrerës, skuadër e cila tashmë do t’i bashkohet kombëtareve të tjera që do t’i shohin këto finale nga televizori.

Sfida u zhbllokua në minutën e 48 me një supergol të Dos Santos. As mbrojtësit dhe as portieri holandez nuk arritën ta neutralizonin gjuajtjen nga jashtë zonë të 25 vjeçarit.

Holanda tenton të rikthejë barazimin dhe për këtë Van Gaal shton forcat në sulm, por ashtu si përballë Brazilit edhe në këtë sfidë Ocoa tregohet vendimtar. Por protagonizmi i portierit meksikan zgjati deri në minutën e 88, atëherë kur Snaijder, i pambuluar nga mbrojtja kundërshtare, barazoi shifrat.

Në minutën e tretë shtesë, pas një këmbëngulje të gjatë Arjen Robben i penguar në zonë nga Rafa Marquez fitoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Huntelaar.

Kjo fitore i jep mundësinë Holandës së Van Gaal të shpresojë ende te fitimi i Kupës së Botës, trofeu i cili i iku nga duart 4 vjet më parë në Afrikën e Jugut.

Top Channel