Grekët nuk duan të “zgjohen” nga ëndrra

29/06/2014 00:00

Fernando Santos e di shumë mirë që gjëja më speciale e mundshme është në një distancë të prekshme, teksa Greqia synon të shkojë edhe më gjatë në këtë Botëror, duke arritur çerekfinalet përballë një rivali si Kosta Rika, ndeshje që do të zhvillohet mbrëmjen e së dielës, ora 22:00.

Greqia mundi të kalonte fazën e grupeve për herë të parë në histori, pas atij goli të shënuar në sekondat e fundit me 11-metërsh nga ana e Georgios Samaras, i cili u siguroi helenasve fitoren decizive 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në mesjavë.

“Kjo është një mundësi e artë për ne, për të shkruar historinë e vendit tonë”, tha 59-vjeçari portugez Santos, i cili ka krijuar një reputacion tepër të mirë si trajner kur drejtonte më parë AEK-un, Panathinaikos dhe PAOK-un, përpara se të merrte drejtimin e kombëtares greke në 2010-n.

Megjithatë, Santos, kontrata e të cilit pritet të skadojë brenda pak ditësh me Federatën greke të Futbollit, pranon se kalimi i turit nuk është aspak i lehtë. Futbolli tejet i përparuar i Kosta Rikës, me shpejtësinë e theksuar dhe kundërsulmet e rrezikshme, i ndihmoi amerikano-qendrorët të thyenin çdo parashikim në grupin D, pas fitoreve radhazi me Uruguajin dhe Italinë, si dhe me barazimin ndaj Anglisë.

Ata priten të kenë gjithashtu përkrahjen e madhe të vendasve brazilianë, por edhe të tifozëve të shumtë që kanë udhëtuar nga Kosta Rika drejt Brazilit, kur të luhet ndeshja e së dielës në Recife.

“Pritet të jetë një ndeshje tepër e fortë – shtoi Santos. – Ata kanë treguar se janë një ekip kompakt dhe, kolektivisht, mund të bëjnë edhe më tepër çudira, pasi janë edhe më efektivë kur luajnë pa një lider”.

“Megjithatë, ne jemi të gatshëm. Nëse duam të avancojmë në çerekfinale, për të hyrë në histori, atëherë duhet të luajmë shumë më mirë se ata në disa aspekte kyçe të lojës. Duhet të krijojmë më shumë raste, por edhe të ruhemi nga kundërsulmet e shpejta të tyre”.

“Kjo është hera e parë që jemi kualifikuar për në 16-she”, tha mbrojtësi i djathtë Vasilis Torosidis. “Kjo arritje i ka dhuruar shumë kënaqësi popullit tonë, por nuk jemi ende gati të ndalemi këtu”.

Top Channel