Botërori, Selecao kalon në çerekfinale

28/06/2014 00:00

Ka qenë një ndeshje me drithërima që kanë shoqëruar si lojtarët edhe tifozët deri në fund ajo mes Brazilit dhe Kilit, që është mbyllur me fitoren e të zotëve të shtëpisë.

Ka qenë një ndeshje e fortë, pse jo edhe e ashpër ajo mes dy skuadrave latine, që kanë luftuar deri sekondin e fundit për kualifikimin në fazën tjetër të turneut të Kupës së Botës.

Brazilianët kaluan të parët në avantazh në minutën e ’18 me anë të David Luiz, por gëzimi i tyre nuk zgjati shumë pasi 14 minuta më vonë erdhi goli i barazimit të kilienëve, që mban firmën e Alexis Sanchez.

Pjesa e dytë e takimit ka vijuar me raste goli, kryesisht për vendasit, të cilëve iu është anuluar edhe një gol me pretendimin e gjyqtarit për pozicion të parregullt.

Gjithçka ka vijuar pa gola dhe me fauj, që janë shoqëruar me 4 kartona të verdhë për brazilianët dhe 3 për kilienët, derisa është arritur në kohët shtesë dhe më pas tek 11-metërshat.

Brazilianët e kanë nisur mbarë, me autorin e golit, Luiz, që ka kthyer në gol goditjen nga pika e bardhë. Ndërsa kilienët jo. Pinila gaboi goditjen e parë dhe po ashtu edhe pasuesi i tij, Sanchez.

Në goditjet e mëtejshme edhe brazilianët kanë dështuar për shkak të goditjes jashtë porte të Willian dhe asaj të gabuar të Hulk, ndërsa kilienët kanë barazuar.

Kanë qenë penalltitë e fundit ato vendimtare. Nga Brazili ka qenë Neymar që ka shënuar, duke e hedhur topin në krahun e kundërt të portierit. Ndërsa nga kilienët, Jara ka goditur shtyllën, duke i thënë kështu lamtumirë Botërorit.

Top Channel