Çiftet e 1/8 të botërorit

27/06/2014 00:00

Brazil-Kili është ndeshja e parë 1/8 të finaleve të botërorit. Një sfidë brenda kësaj sfide është ajo mes dy yjeve të Barcelonës, Nejmar e Sançez, ndërkohë që Kolumbi-Uruguaji dhe Kosta Rika-Greqi, të paktën në letër duken si sfidat më të ekuilibruara. Gjermania, Franca dhe Argjentina do të përballen me kundërshtarë të lehtë, po në letër, ndërsa sulmi më i mirë, ai holandez përballet me mbrojtjen më të mirë, Meksikën.

Brazil-Kili (Të shtunën në orën 18:00)
Ashtu si faza në grupe, edhe kjo fazë nis me të zotët e shtëpisë. Në takimin ndaj Kroacisë, të fituar 3-1 nuk zhvilluan një lojë në lartësinë e një pretendenti, madje ndeshja mund të kishte përfunduar me tjetër rezultat nëse nuk do të ishte influencuar nga gjyqtari. Në mesfushë, trajneri Scolari shpreson tek forma më e mirë e Fernandinho-s, ndërsa në sulm i zakonshmi Nejmar do të kërkojë të fitojë sfidën në distancë me Mesit për trofeun e golashënuesit, përpos duelit me Sançez që së bashku me Arturo Vidal janë dy shtyllat e skuadrës kilene. Ky i fundit qendroi në stol në ndeshjen kundër Holandës për t’u rikuperuar.

Kolumbi-Uruguaji (Të shtunën ora 22:00)
Shihet si ndeshja më e ekuilibruar e kësaj fazë. Gjatë eliminatoreve për grupin e Amerikës Jugore, kolumbianët i dhanë një mësim të mirë skuadrës së Tabarez duke e mundur 4-0, por në kthim Cavani & Co u hakmorën duke i mundur 2-0. Cuadrado dhe James Rodriguez janë dy pikat e forta të Kolumbisë e cila përgjithësisht është një skuadër e shpejtë dhe mjaft teknike, ndërsa Uruguaji do t’i duhet të bëjë pa sulmuesin Suarez, të dënuar nga FIFA për atë kafshim ndaj Kielinit në ndeshjen kundër Italisë. Parashikimi: Kolumbia do bëjë lojën, Uruguaji do mbrohet dhe do kërkojë të shfrytëzojë kundërsulmin.

Holandë-Meksikë (Të dielën ora 18:00)
Në këtë sfidë përballet mbrojtja më e mirë kundër sulmit më të mirë. 10 golat e shënuar nga holandezët në fazën në grupe, prej të cilavë gjashtë nga dyshja Roben-Van Persie, i bëjnë tulipanët një skuadër të frikshme. Por përballë do të kenë mbrojtjen më të fortë deri më tani. Meksikanët kanë pësuar vetëm një gol në fazën në grupe duke ndalur madje edhe Nejmarin në barazimin 0-0 me Brazilin. Megjithatë gjithcka mbetet për t’u parë, Van Gaal nuk luan një futboll sulmues, ndërsa Meksika nuk qendron gjithë kohës në mbrojtje. Holanda do t’i besojë yjeve të saj për të zgjidhur ndeshjen, ndërsa meksikanët lojës në grup dhe zbatimit me përpikëmëri të vendosjes taktike.

Kosta Rika-Greqi (Të dielën ora 22:00)
Kosta Rika është surpriza e vërtetë e këtij botërori. Mundi Uruguajin dhe Italinë e barazoi me Anglinë duke u rënditur e para në një grup, ku para se të zhvilloheshin ndeshjet nuk mendohej as kualifikimi i saj, e jo më kualifikimi si kokë grupi. Ashtu si Meksika pësuan vetëm një gol në grup dhe atë nga pika e bardhë e penalltive (në fitoren 3-1 përballë Uruguajit). Skuadra e Fernando Santos është rritur ndeshje pas ndeshje, ka lojtarë cilësorë dhe shumë krenari. Por kujdes, përballë do të kenë Greqinë, një skuadër që godet atëherë kur kundërshtari nuk e pret. Grekët janë fanatikë të vendosjes në fushë, mbrohen mirë dhe pritet që t’i lënë iniciativën kostarikanëve për të shfrytëzuar kundërsulmin.

Francë-Nigeri (Të hënën ora 18:00)
Barazimi pa gola kundër Ekuadorit nuk mund të shërbejë si sirenë alarmi për skuadrën e Didier Deschamps. Francezët luajtën në këtë ndeshje me kualifikimin e siguruar në dy ndeshjet e para, ku bindën më shumë se të gjitha skuadrat e tjera të mëdha. Benzema është në formë të mirë, Valbuena i ka dhënë cilësi dhe shpejtësi mesfushës duke bërë që të harrohet mungesa e Ribery, ndërsa Cabaye-Matuidi-Pogba formojnë një treshe mesfushorësh të frikshëm. Nigeria trembi Argjentinën me dy golat e Musa në humbjen 3-2, por francezët nuk lënë aq hapësira sa Argjentina në repartin e prapavijës. Në letër s’ka ndeshje; fitore e Francës.

Gjermani-Algjeri (Të hënën ora 22:00)
Nisur nga emrat dhe nga ato që dy skuadrat treguan në fushë në fazën në grupe, shihet si sfida më e çbalancuar. Pika më e fortë e skuadrës afrikano-veriore janë topat në ajër, pikërisht aty ku gjermanët nuk është se kanë vuajtur ndonjëherë në historinë e tyre dhe sikur të mos mjaftojë kjo, Algjerianët kanë pësuar gol në çdo ndeshje…dhe Tomas Myler mund të fërkojë duart. Dy skuadrat kanë një precedent historik; atë të 1982 kur Algjerianët mposhtën 2-1 në atë kohë Gjermaninë Perëndimore, e cila më vonë u kualifikua gjithsesi pas një rezultati të shumëdiskutuar me Austrinë. Por në atë kohë Algjeria kishte një yll si Madjer, i cili i mungon sot kësaj skuadra, për të mos thënë pastaj që të premten nis edhe Muaji i Ramazanit dhe thuajse të gjithë lojtarët pritet të agjerojnë.

Argjentina-Zvicër (E martë ora 18:00)
Në ndeshjen e fundit Xherdan Shaqiri shënoi 3 gola në fitoren 3-0 ndaj Hondurasit duke i dhënë kualifikimin helvetëve. Skuadra e Hitzfield, hiq humbjen çoroditëse me Francën, është një skuadër e ekuilibruar me emra cilësorë në mesfushë, mbrojtje dhe sulm, përfshirë këtu edhe pesë emrat shqiptarë. Argjentina nga ana tjetër ka treguar një rritje të lojës në komunikimin mes reparteve, megjithëse mbrojtja vuan. Ky repart cilësohet si Thembra e Akilit e skuadrës së Sabellas, një pikë që mund të shfrytëzohet nga Shaqiri, por argjentinasit më në fund kanë gjetur Mesin në kombëtare. “Pleshti” ka shënuar katër gola deri më tani dhe gëzon një formë të mirë fizike.

Belgjikë-SHBA (Të martën ora 22:00)
Belgët në letër shihen si favoritë. Fituan grupin e tyre me pikë të plota, por në asnjë ndeshje nuk bindën. Janë një skuadër e mbushur me talente, mes të cilëve edhe një kampion i madh si Hazard dhe problemi qendron tek mungesa e lojës kolektive dhe si për të mos mjaftuar kjo, sulmuesi kryesor i skuadrës së drejtuar nga Vilmots, Lukaku ka mbërritur në Brazil në formën më të keqe të mundshme. Të jetë kjo mundësia e artë për Adnan Januzajn? Të shohim. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara bënë mrekullinë duke i zënë vendin Portugalisë së Kristiano Ronaldos në 1/8. Nëse Klinsman zhvillon të njëjtën lojë si ndaj portugezëve me topa të gjatë duke shfrytëzuar lëvizjet e Dempsey dhe shpejtësinë e Jones mund t’ia dalin mbanë. 

Top Channel