Argjentina fiton, dopietë e Messi-t

25/06/2014 00:00

Argjentina ka mposhtur 3-2 Nigerinë dhe ka siguruar vendin e parë në grupin F, ndërsa afrikanët, edhe pse u mundën vazhdojnë më tej si të dytët në grup.

Messi shënoi që në minutën e 3-të të takimit, por kur në shkallët e stadiumit argjentinasit nuk kishin përfunduar ende festën e kalimit në avantazh, Musa barazon gjithcka në 1-1. Barazimi zgjati deri në sekondat e fundit të pjesës së parë, kur sërish Messi, këtë herë me një goditje dënimi gjen rrjetën kundërshtare. Argjentina 2 Nigeria 1.

Pjesa e dytë nis ashtu si e para, në pesë minuta u shënuan dy gola të tjerë. Në minutën e 47-të, Musa shënon golin e dytë personal dhe atë të barazimit në 2-2, barazim që zgjati vetëm 3 minuta pasi Rojo kalon sërish skuadrën e Sabellas në avantazh.

Minutat në vazhdim nuk sollën ndryshim rezultati. Argjentina fitoi edhe ndeshjen e tretë në grup duke siguruar pikë të plota, ndërsa Messi me dy golat e shënuar ngjitet në krye të listës së golashënuesve së bashku me Nejmar me nga katër të tillë.

Në takimin tjetër, Bosnja regjistroi fitoren e parë në finalet e botërorit. Ballkanasit fituan 3-1 ndaj Iranit. Për boshnjakët shënuan Dzeko, Pjanic dhe Vrsajevic ndërsa për iranianët Ghochenjhad.

Argjentina si e para dhe Nigeria si e dyta vazhdojnë për më tej, ndërsa Bosnja e rënditur si e treta dhe Irani si vendi i katër dhe i fundit i thonë lamtumirë aventurës braziliane.

Në orën 22:00 luhen dy takimet e tjera të grupit E. Ekuador-Francë dhe Honduras-Zvicër.

Top Channel