Turpërohet Italia, për së dyti ngec në grupe

24/06/2014 00:00

Mund të tingëllojë e çuditshme, por Italia nuk ia ka dalë mbanë të kalojë fazën e grupeve as në Brazil 2014, duke përsëritur zhgënjimin e pësuar 4 vjet më parë në Afrikën e Jugut.

Takimi deciziv përballë Uruguajit, në të cilin “axurrëve” iu mjaftonte edhe barazimi për të avancuar më tej në Botërorin brazilian, përfundoi me rezultatin minimal 0-1 në favor të “çelestëve”, të arritur pas golit të shënuar nga Godin, pas një goditjeje nga këndi.

Një ndeshje me shumë zhvillime dhe ngjarje të diskutueshme. Fillimisht ishte Marchisio, ai që detyrohet të largohet nga fusha e lojës, pas kartonit të kuq të drejtpërdrejtë, si pasojë e një ndërhyrjeje të ashpër me takë ndaj një lojtari të Uruguajit, e më pas një tjetër “kafshatë” e dhënë nga Luiz Suarez, këtë herë në dëm të mbrojtësit Chiellini.

Në ndeshjen tjetër të grupit D, Kosta Rika dhe Anglia e mbyllin në barazim pa gola. Një tjetër rezultat surprizë nga amerikano-qendrorët, ndërsa një tjetër zhgënjim për “3 luanët”, të cilët janë eliminuar me vetëm 1 pikë nga ky Botëror.

Top Channel