Thierry Henry ka arritur thuajse gjithçka me Francën. Si i vetmi francez, i cili ka marrë pjesë në 4 turne Botërorë, ai ka arritur edhe majën në tokën franceze, në vitin 1998, por edhe zhgënjimin madhor në Kore dhe Japoni 2002. Më pas, një rigjallërim të papritur në Gjermani 2006, si dhe grindjet e pashpjegueshme të Afrikës së Jugut 2010.
Përgjatë këtyre aventurave, një nga sulmuesit më të mirë të Francës ka qenë edhe pjesë e gjeneratës së artë, që shijoi triumfin në Europianin e vitit 2000. Ai shënoi 51 gola në 123 takime me “Les Bleus”, duke u futur në histori i golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për vendin e tij, si dhe lojtari i dytë me më shumë ndeshje të zhvilluara me kombëtaren.
Në analizën e bërë nga Rio de Janeiro, për Botërorin që po zhvillohet tashmë, 36-vjeçari, që vazhdon ende të luajë për Neë York Red Bulls, jep një intervistë për FIFA.com, ku dhe shfaq dashurinë e tij të gjatë me kombëtaren franceze.
Ndër të tjera, ai thekson se momenti i parë që memorien e tij që ka parë Francën të luajë futboll, ka qenë goli i Marius Tresor ndaj Gjermanisë, në Botërorin e Spanjës 1982. Ishte vetëm 5 vjeç atëherë dhe ai gol i ka ngelur vetëm si imazh. Por, Botërori i Meksikës 1986 ishte ai që i la më shumë shenja e që e bëri të dashurohej me këtë sport. Në atë vit, “Les Bleus” ecën shumë duke eliminuar edhe Brazilin gjatë rrugës. Si tifoz, për të ishte shumë e thjeshtë të dashuronte kombëtaren, gjë që u forcua edhe nga Europiani 1984.
Sa i përket Botërorit të tanishëm, dhe veçanërisht kombëtares së drejtuar nga Didier Deschamps, ai shprehet se ka një këshillë të rëndësishme për t’u dhënë lojtarëve: Ta shijojnë sa më shumë dhe të arrijnë sa më gjatë, për të kuptuar se eksperienca fitohet nga e luajtura në të tilla turne. Sipas tij, kjo gjeneratë ka kualitetet për të bërë shumë mirë, madje pse jo edhe për të ngritur trofe. “Kur luan në një Kupë Bote, kurrë nuk e di me siguri nëse do të të jepet më shansi për të luajtur sërish. E kam pasur këtë mundësi 4 herë, mund të duket e çuditshme, por gjithnjë e kam konsideruar atë të radhës sikur të ishte i fundit”.
Në lidhje me lojtarët aktualë, Henry thotë se pavarësisht humbjes së Franck Ribery përpara Botërorit, ai mbetet një lojtar i jashtëzakonshëm. Më pas vijnë kualitete si Benzema, Pogba, Varane e të tjerë. Shumë veta po lavdërojnë mesfushën dhe sulmin e kësaj kombëtareje, por në sytë e Henry, Varane është ai që do të lërë më shumë gjurmë te “gjelat” e Francës.
Top Channel