Sot, shansi i fundit i Italisë

24/06/2014 00:00

Dita e shumëpritur për Italinë dhe kombëtaren italiane në “Brazil 2014” ka ardhur. Lojtarët e drejtuar nga Prandelli do të luajnë sot në orën 18:00 përballë Uruguajit, ndeshjen e cila do të vendosë nëse ata do të vazhdojnë të jenë kandidatw të fortë për titullin kampion apo do ta ndjekin finalen e Botërorit nga plazhet më të bukura të botës.

Përballë tyre do të jenë Suarez-Cavani, dy sulmues nga të cilët frikësohen të gjithë kombëtaret. I pari nxorri jashtë loje i vetëm kombëtaren angleze, ndërsa i dyti i njeh mirë mbrojtësit italianw me të cilët ka luftuar, madje ka fituar shumë duele kur luante tek Napoli.
 
Nga 3 rezultate që ka një ndeshje futbolli, Italisë i mjaftojnë 2: fitorja dhe barazimi që të sigurojë kualifikimin për në raundin tjetër të këtij Botërori. Nëse përfaqësuesja e Prandelit mundet nga Uruguaji, atëherë ajo do t’i bashkohet Anglisw në rrugën e kthimit.

Ndërkohë, në grupin C gjërat janë më të qarta. Kolumbia është pothuajse e kualifikuar dhe tashmë i duhet një pikë në sfidën e fundit ndaj Japonisë që të sigurojë vendin e parë. Po ashtu, edhe Bregut të Fildishtë i mjafton një barazim me Greqinë që të përfundojë fazën e grupeve në vendin e dytë.

Një mundësi të vogël kualifikimi ka edhe Greqia, e cila duhet të mundë Bregun e Fildishtë dhe të presë që Japonia të mundet nga Kolumbia.  

Top Channel