Vakancat në Gjykatën e Lartë

24/06/2014 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka nisur konsultimet me kryetarët e grupeve parlamentare për plotesimin e dy vendeve vakantë në Gjykatën e Lartë.

Nuk ka asnjë njoftim zyrtar për qendrimet e palëve në këto bisedime dhe i vetmi që komunikoi me mediat ishte kryetari i grupit opozitar Edi Paloka. Përveçse vlerësoi rrugën kushtetuese të ndjekur nga Presidenti, zoti Paloka gjeti rastin për të akuzuar Kryeministrin Edi Rama për sjelljen e tij me sistemin e drejtësisë.

“Edi Rama, që bërtet gjithë ditën për problemet e drejtësisë shqiptare, që në fakt ajo i ka, synon ta ketë atë në dorë si ajo që ka patur dikur, ku në krye të gjykatave vendoseshin ministrat e Partisë Socialiste. Kjo nuk do të ndodhë, Rama nuk do ta marrë këtë “kala”, sepse ky do të ishte fundi i drejtësisë dhe i demokracisë”, deklaroi Paloka.

Kryetarët e grupeve parlamentare të mazhorancës Gramoz Ruci dhe Petrit Vasili nuk komunikuan asnjë qëndrim për bisedimet te Presidenti.

Më herët, përveç rikonfirmimit të Bashkim Dedjës në krye të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca ka rrëzuar çdo dekret tjetër të Presidentit në lidhje me gjyqësorin, duke i konsideruar të pamjaftueshme konsultimet e Presidentit rreth kritereve formale të kandidatëve. Një qëndrim ky, që LSI-ja pritet ta rikonfirmojë të martën nëpërmjet një letre të hapur për Presidentin e Republikës.

Top Channel