Neymari kalon Rivaldon dhe Ronaldinhon

24/06/2014 00:00

Neymar vazhdon të përmirësojë statistikat e tij në ndeshjet me Brazilin. Ylli aktual i Seleçaos, me dygolëshin ndaj Kamerunit, arriti shifrën e 35 golave me fanelën e përfaqësueses së vendit të tij.

Me dy golat ndaj skuadrës afrikane, ai kaloi 33 golat e Ronaldinhos dhe 34 golat e Rivaldos. Vetëm 22-vjeçar, Neymar ka përpara vetes sulmues si Romario (55), Bebeto (55), Ronaldo (62), Zico (66) dhe Pele (77).

Por, nuk të habit numri i golave më shumë sesa koha në të cilën ka arritur t’i shënojë këto gola. Ronaldinho i ka shënuar 33 golat e tij pas 97 ndeshjeve dhe Neymar i ka shënuar vetëm pas 52 takimeve. Nga ana e tij, Bebeto i ka shënuar pas 63 ndeshjeve të zhvilluara me kombëtaren.

Me golat e shumtë që janë shënuar deri tani, kjo fazë e grupeve, e cila nuk ka përfunduar ende, është faza me më shumë gola që nga Botërori i vitit 1970.

Top Channel