Spanja, lamtumira e trishtë e sulmuesit Villa

24/06/2014 00:00

Në minutën e 57 të ndeshjes Spanjë-Australi, Juan Mata hyri në lojë duke zëvendësuar numrin 7 të spanjollëve, David Villa. Sulmuesi, i cili luante ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren, mbeti i shtangur kur pa numrin e fanelës së tij në tabelën elektronike dhe u largua nga fusha e lojës i inatosur për vendimin e trajnerit Del Bosque.

Lojtarët e tjerë të stolit e kuptuan situatën e nderë dhe menjëherë u ngritën dhe e përgëzuan ish-lojtarin e Barcelonës për ndeshjen e mirë që zhvilloi.

Për disa minuta, David Villa qëndroi i përlotur dhe me kokën ulur në stol e më pas vazhdoi të shikonte i qetë vijimësinë e asaj që ishte ndeshja e tij e fundit me Spanjën, me fanelën e së cilës ka shënuar 59 gola në 97 ndeshje.

“Gjithmonë e kam thënë që e dashuroj kombëtaren dhe të ishte për mua do të luaja deri 55 vjeç, por është e pamundur. Do të shkoj në kampionatin amerikan tani dhe pas 6 muajsh do të jetë e vështirë që trajneri të më grumbullojë sërish”, tha Villa, autori i golit të parë të ndeshjes Spanjë-Australi.

Top Channel