F1, reagimet. Massa: Ta përsërisim në garë

22/06/2014 00:00

Askush nuk e priste një “pole position” prej tij, madje i pari që është surprizuar është vet Felipe Massa.

“Jam shumë i lumtur për këtë arritje. Më duhet të falënderoj ekipin, jemi duke përjetuar një moment të shkëlqyer. Ka kaluar shumë kohë nga poli im i fundit, duhet të përqendrohemi në garë, e cila sigurisht do të jetë e vështirë, por edhe shumë e rëndësishme. Jam në pozicionin më të mirë, gjë që nuk më ka ndodhur shpesh gjatë viteve të fundit”, tha braziliani, pas përfundimit të provave zyrtare të Çmimit të Madh të Austrisë.

“Shpresoj vetëm të jetë fillimi i një serie të gjatë të mundësive për të përsëritur këtë rezultat, jo vetëm në kualifikuese, por edhe në gara”, shtoi braziliani Massa.

Edhe Rosberg është surprizuar, por jo në aspektin pozitiv si Massa. “Sigurisht që nuk e prisja të mos nisesha nga radha e parë, madje aq më pak të kisha dy Ëilliams përpara”, ka shpjeguar piloti gjerman i Mercedes. “Gjithsesi, ata kanë bërë një punë të madhe, ndërkohë që për ne nuk ka shkuar gjithçka perfekte. Vendi i tretë sërish mbetet i mirë, pasi është një pozicion nga ku mund të nisësh sulmin për të dalë në krye. Kjo edhe duke përfituar nga pasja e një makine, që ka një marsh më shumë në garë, ndaj dhe mezi po pres ta shfrytëzoj këtë avantazh”.

Dy humbjet e mëdha të ditës së shtunë ishin Leëis Hamilton dhe Sebastian Vettel, të cilët do të nisen nga shumë prapa.

Ndërkohë, ai që ka përgëzuar Massa-n është vet Fernando Alonso, ish-shoku i tij i skuadrës te Ferrari. “Jam i gëzuar për Felipen dhe i uroj të bëjë një garë të mirë, por shpresoj që të mbërrijmë ne përpara tij, sepse kemi më shumë nevojë për pikë”, është shprehur ferraristi. Sa i përket garës, “duhet të bëjmë një garë të mirë, edhe pse do të jetë e vështirë, sepse duhet të sulmojmë dhe të mbrohemi njëkohësisht, duke ditur që pas krahëve tanë janë pilotë si Hamilton dhe Vettel”, ka përfunduar spanjolli Alonso.

Garën për Çmimin e Madh të Austrisë mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel dhe Top Channel HD, duke nisur nga ora 14:00 e ditës së diel, nën komentin e gazetarëve Elert Yzeiraj dhe Endi Tufa.

Top Channel