Gjermania, Muller gjakoset pas një dueli ajror

22/06/2014 00:00

Një ndeshje për t’u harruar për Thomas Muller, ajo kundër Ganës, e cila përfundoi në barazim 2-2, ku ndër emrat e golashënuesve mungonte ai i numrit 13 të Gjermanisë.

Sulmuesi gjerman, pas trigolëshit të shënuar ndaj Portugalisë, nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës ndaj ganezëve, por më e keqja është se e mbylli takimin i gjakosur në fytyrë, pas një dyluftimi ajror me mbrojtësit e Ganës, John Boye.

Në minutën e 93, në sulmin e fundit të gjermanëve për të gjetur golin e fitores, bavarezi me numrin 13 i Gjermanisë u përpoq të godiste me kokë një top të kthyer nga traversa, pas gjuajtjes së Kroos, por u përplas me shpatullat e Boye, duke u gjakosur në vetullën e djathtë të tij.

Ndeshja u mbyll dhe doktorët e kombëtares gjermane ishin drejtuar për në dhomat e zhveshjes, kur mësuan rreth dëmtimit të Muller për t’u rikthyer me shpejtësi në fushë, teksa lojtari doli më pas me kokën e fashuar.

Pas ndeshjes, trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, tha se “ishte thjesht një goditje në vetull, Muller ka pësuar një çarje të vogël, por nuk është një dëmtim i rëndë që mund ta rrezikojë aktivizimin e tij”.

Top Channel